Akuza të forta drejt policisë dhe bandave
Ylli Zalla ka reaguar pas shpërthimit me lëndë plasëse që shkaktoi dëme të konsiderueshme në banesën e tij në fshatin Zall të Fushë-Krujës.
Zalla ka mohuar pretendimet se ngjarja mund të jetë inskenuar prej tij me qëllim përfitimin e azilit politik. Ai ka ngritur akuza ndaj Policisë së Shtetit dhe grupeve kriminale, ndërsa ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga prona e tij.
Zalla, i cili është shpallur në kërkim në lidhje me atentatin e Rinasit, është shfaqur pranë banesës së dëmtuar pas shpërthimit.
“Unë Ylli Zalla, në nëntor 2025, vjen Policia e Shtetit më akuzon për lidhjen e Rinasit. Hyjnë makina, dalin makina. Pa ekspertizë e pa asnjë lloj prove më ngatërrojnë me bandat. Kalojnë disa muaj dhe gjejnë armatim, Ylli Zalla s’ka armatim. Pas kësaj, në qershor 2026, në datën 22, më vijnë Policia e Shtetit pas shtëpie me më vrarë vdekje në tokë. Unë jam hallexhi, kam fëmijët pa bukë. Ja çfarë më ka bërë mua Policia e Shtetit. Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, shprehet mes të tjerash Zalla.
Shpërthimi ka ndodhur gjatë natës dhe ka shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesë.
Zalla është shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025, pasi dyshohet si bashkëpunëtor në atentatin e Rinasit.
Ndërkohë, më 20 shkurt 2026, në kuadër të hetimeve, u gjet edhe një arsenal armësh që, sipas autoriteteve, dyshohet se i përkiste Zallës dhe përdorej për furnizimin e grupeve kriminale.