Atentati në Rinas, reagon sërish nga arratia Ylli Zalla: Po më përdorin
“Më ka futur shteti në hasmëri me ngjarjen e Rinasit”
Ylli Zalla, i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit për atentatin e ndodhur në nëntor të vitit të kaluar në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani, ka reaguar sërish publikisht duke mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Edhe pse autoritetet kanë ushtruar disa kontrolle në banesën e tij, Zalla është shfaqur nga arratia në ambientet e shtëpisë së tij, ku në një komunikim me gazetarin Spartak Koka ka paraqitur versionin e tij, duke këmbëngulur se nuk ka asnjë lidhje me ekzekutimin në Rinas.
Sipas tij, në momentin kur ndodhi atentati, ai ndodhej në banesën e tij në Fushë-Krujë. Më pas, pretendon se është larguar për disa orë drejt zonës së Patokut dhe për ngjarjen është informuar vetëm pasi është kthyer dhe ka ndjekur lajmet në media.
Zalla thekson se lëvizjet e tij janë të verifikueshme përmes kamerave të sigurisë në zonë, ndërsa shton se kontrollet e policisë në pronat e tij nuk kanë prodhuar asnjë provë që ta implikojë në këtë çështje.
Ai shprehet kategorikisht se nuk njeh autorët e krimit dhe mohon të ketë pasur ndonjë rol në sigurimin e mjeteve apo armëve për atentatin. Në deklaratat e tij, Zalla ngre akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore, duke pretenduar se po përdoret si “kokë turku” për të mbyllur hetimet pa identifikuar autorët e vërtetë.
Gjithashtu, ai pretendon se është vënë nën presion jo vetëm nga autoritetet, por edhe nga persona që, sipas tij, lidhen me rrethin e Emiliano Shullazit. Sipas Zallës, këta persona i kanë kërkuar të betohej se nuk ka lidhje me ngjarjen, duke e futur në një situatë të vështirë dhe konfliktuale.
Në deklarimet e tij, ai shkon edhe më tej, duke pretenduar se ka informacione për oferta financiare të konsiderueshme për eliminimin e tij. Sipas Zallës, kjo do të shërbente për të mbyllur çështjen pa zbardhur të vërtetën e plotë të atentatit në Rinas.
Megjithatë, ai shprehet i gatshëm të dorëzohet përpara drejtësisë, me qëllim që, sipas tij, të dalë e vërteta dhe të zbardhet plotësisht ngjarja. Zalla insiston se nuk ka asnjë lidhje me atentatin dhe kërkon që hetimet të fokusohen në identifikimin e autorëve realë.
Pjesë nga intervista:
Ylli Zalla: Automatikisht nuk kam lidhje me atë ngjarje. Thjesht, më datën 12 në Fushë-Krujë më ka pyetur shefi i zonës, Burim Dragusha, me një oficer tjetër: “Ku e ke vëllain?” Vëllai ishte në burg. Të nesërmen, mbasdite, nga ora 1-2, më ka ardhur në kontroll policia. Policia ka ardhur dhe më ka marrë një oficer policie: “Jemi te shtëpia jote.” Ata kanë kontrolluar. Unë kam qenë në Fushë-Krujë. Në lidhje me ngjarjen, kur është bërë, unë kam qenë me një Fati Alla, duke ngrënë bukë te shtëpia ime. Ai ka ikur për në shtëpinë e vet, unë kam ikur te një miku im në Patok. Kur jam kthyer nga Patoku, kam dalë në rrugë të Krujës dhe aty kam marrë vesh që ishte bërë një ngjarje në Rinas.
Pastaj kam ikur në Fushë-Krujë, në qytet, kam pirë kafe dhe kam ardhur në shtëpi. Kur ka ndodhur ngjarja, kam qenë te shtëpia. Kamerat janë te fabrika. Këtu jam 100%, s’kam lidhje. Nuk e di i ka marrë shteti apo jo kamerat. Pas tre ditësh doli që kanë kapur arsenal të madh armësh. Nuk kanë gjetur asgjë te shtëpia dhe kasollet e mia. Kjo është kasollja ime, këtu nuk më kanë kapur asgjë. Këtu kanë ardhur në datën 13-14. Unë s’kam qenë në shtëpi fare, ika se kisha punët e mia. Më ka marrë një shef i Krimeve. I thashë: “Hajde më merr, sa ta laj makinën”, dhe erdha. “Hajde se po vij unë”, më tha. Kur vij unë nga rruga mbrapa, shoh policinë. Kanë bërë kontroll.
Spartak Koka: Kur e more vesh që po akuzoheshe për Rinasin?
Ylli Zalla: E kam kuptuar kur e dhanë lajmet. Unë nuk erdha fare këtu nga frika.
Spartak Koka: Kur doli në media që ti kishe lidhje me Rinasin, çfarë mendove?
Ylli Zalla: U habita. Si ka mundësi kjo punë? Çfarë më bëri mua shteti kështu? Burim Dragusha, dy ditë më parë, më ka thënë: “Ku e ke vëllain?” “Vëllai është në burg”, i thashë. Sot më ka kërkuar, më thotë: “Do të të bëj be me 40 burra.” Burim Dragusha dhe Krenar Estrefi, shefi i Krimeve, në bashkëpunim, këta i kanë bërë.
Spartak Koka: Çfarë të lidh ty me vrasjen e Rinasit?
Ylli Zalla: Mua s’më lidh asgjë, nuk kam lidhje fare. Vetëm në televizor i kam parë pamjet filmike. Nuk i njoh vrasësit. Nuk i kam shitur askujt as armë, as makinë. Shteti e di pse vjen te unë, për të mbuluar gjërat e tyre. Shefi i zonës e di.
Spartak Koka: Të kam parë që ke postuar në rrjetet sociale, te JOQ ka dalë edhe një video e jotja. Ke qenë i revoltuar?
Ylli Zalla: Kam qenë i revoltuar se më është turrur shteti këmba-këmbës të më kapë dhe të më vrasë. Në mënyrë private… të mbyllin dosjen e vet. Nuk është i zoti të zbardhë ngjarjen, të hapë kamerat. Ka fikur dritat në Rinas, siç thonë në televizor. Gilmando Danin dhe Shullazin nuk kam pasur konflikt. I njoh, mund t’i kem takuar nëpër burgje.
Do dorëzohem, të dalë e vërteta dhe të zbardhet ngjarja e Rinasit. Mua më kanë futur në hasmëri. Më ka futur shteti në hasmëri me ngjarjen e Rinasit. Më kanë ardhur njerëz që të bëj be me zakon. Më kanë ardhur njerëzit që të bëj be për burrni. I kam bërë be si ta dojë ai, sepse nuk kam lidhje fare me këtë punë. As kam shitur, as nuk do shes. Shteti t’i zbardhë dhe jo të më turrët mua. E kam zbuluar në mënyrë private që shteti do të më vrasë. Kanë paguar bandat 500 mijë euro që të vrasin Ylli Zallën. Bandat me shtetin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



