E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Duhet ma ndërru telin, o Red”, letra misterioze pranë banesës së Ylli Zallës
Lajme

“Duhet ma ndërru telin, o Red”, letra misterioze pranë banesës së Ylli Zallës

Një copë letër me një mesazh të shkurtër, por domethënës, është gjetur pranë banesës së Ylli Zallës dhe tashmë është pjesë e hetimit të Policisë së Shtetit.

“Duhet ma ndërru telin o Red, kujdes me tel”.

Ky është mesazhi i shkruar në një copë letre të bardhë, e gjetur brenda rrethimit të banesës së Zallës. Hetuesit po analizojnë përmbajtjen e saj për të kuptuar nëse lidhet me komunikimet telefonike të tij dhe aktivitetin për të cilin është nën hetim.

Në fokus të hetimit janë edhe armët, municionet dhe materiale të tjera të sekuestruara në afërsi të banesës.

Megjithatë, deri në këtë fazë, ekzaminimet e kryera nuk kanë prodhuar prova të drejtpërdrejta që t’i lidhin armët me persona të caktuar. Nga akt-ekspertimet nuk janë identifikuar gjurmë papilare që mund të ndihmonin në përcaktimin e përdoruesve të tyre.

Zalla ka pretenduar se armët i përkasin ushtrisë. Por, krahas armëve të zjarrit, në zonë janë gjetur edhe disa bomba që, sipas dyshimeve të ngritura nga hetuesit, janë të montuara me telefona të markës “Nokia”. Kjo ka shtuar dyshimet se pajisjet mund të jenë prodhuar ose modifikuar në një periudhë më të afërt.

Ekspertiza pritet të përfshijë edhe një sasi prej të paktën 2 mijë municionesh të llojeve të ndryshme, të gjetura pranë banesës së Zallës.

Kjo banesë ishte dëmtuar rreth një javë më parë nga një shpërthim me tritol. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë qenë e qëllimshme dhe po verifikon edhe një version sipas të cilit shpërthimi mund të jetë inskenuar nga vetë Zalla, me qëllim përdorimin e tij më vonë si argument për kërkimin e azilit politik, për shkak të problemeve që ai pretendon se ka me Policinë e Shtetit.

Hetimi për vrasjen në Rinas

Ylli Zalla aktualisht po përballet me akuzat për armëmbajtje pa leje dhe prodhim të narkotikëve, në lidhje me materialet e gjetura pranë banesës së tij.

Ai nuk është akuzuar për vrasjen e ndodhur në Rinas, por policia po verifikon edhe lidhjet e mundshme të tij me këtë ngjarje.

Dyshimet lidhen ndër të tjera me faktin se automjeti që dyshohet se është përdorur në krim mund të ketë dalë nga zona e fshatit Zall, në Fushë-Krujë.

Një tjetër element që po shqyrtohet janë komunikimet telefonike të Ylli Zallës dhe bashkëshortes së tij. Sipas analizave të kryera, për periudhën nga 1 tetori 2025 deri më 20 nëntor 2025, nuk janë evidentuar thirrje hyrëse apo dalëse.

Ndërkohë, edhe mënyra e arrestimit të tij ka marrë një tjetër version. Ndërsa policia deklaron se Zalla është arrestuar, ai ka pohuar në gjykatë se është dorëzuar vetë, duke argumentuar se kishte frikë për jetën.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar lidhjet mes materialeve të gjetura, komunikimeve të dyshuara dhe personave që mund të kenë dijeni për aktivitetin e Zallës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.