Pas skandalit në Hamallaj, Ujësjellësi “mahnit” me reagimin
“Fajtorët” qenkan dallgët, baticat dhe sedimentet
Publikimi i pamjeve nga qytetarët në rrjetet sociale ka nxitur reagim të menjëhershëm në zonën e plazhit të Hamallajt, pranë kompleksit ValaMar, ku një kanal shkarkues u pa duke derdhur ujë me ngjyrë të errët në det. Videoja, e cila u shpërnda gjerësisht, ngriti shqetësime serioze mbi ndotjen e vijës bregdetare dhe ndikimin e saj në mjedis dhe turizëm.
Pas publikimit të këtyre pamjeve, në terren ndërhyri një mjet i rëndë, i cili bllokoi grykëderdhjen e kanalit duke e mbuluar me rërë. Kjo ndërhyrje e menjëhershme, e ardhur vetëm pas reagimit publik, ka shtuar dyshimet mbi natyrën reale të shkarkimeve.
Pak orë më vonë, Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës reagoi zyrtarisht, duke konfirmuar se ishte konstatuar një ndryshim i ngjyrës së ujit në një segment të bregdetit në zonën e Hidrovorit Hamallaj. Megjithatë, institucioni mohoi kategorikisht që të bëhej fjalë për ujëra të zeza, duke sqaruar se gjatë verifikimit hidrovori kishte qenë i mbyllur dhe pa shkarkime aktive drejt detit.
Sipas ndërmarrjes, fenomeni është shkaktuar nga prania e baltës, llumrave dhe sedimenteve të grumbulluara në kanal, të cilat janë trazuar dhe transportuar drejt detit si pasojë e faktorëve natyrorë si baticat, zbaticat, erërat e forta dhe dallgëzimi.
Megjithatë, ky shpjegim nuk ka bindur plotësisht banorët e zonës, të cilët theksojnë se prej rreth dy javësh nuk janë regjistruar reshje shiu që mund të justifikonin një prurje të tillë të pazakontë në kanal.
Në deklaratën zyrtare thuhet gjithashtu se të gjitha rezidencat përreth janë të lidhura me rrjetin e kanalizimeve dhe se ujërat e ndotura trajtohen në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Lalëz, i cili sipas autoriteteve funksionon pa ndërprerje.
Megjithatë, fakti që ndërhyrja për mbylljen e kanalit u krye vetëm pas publikimit të pamjeve ka ngritur pikëpyetje të forta mbi transparencën dhe reagimin institucional, duke lënë hapur dyshimet për situatën reale në terren.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



