E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ish-drejtuesi i UKD i dënuar me burg mban ende 2 poste drejtuese
Denoncime

Ish-drejtuesi i UKD i dënuar me burg mban ende 2 poste drejtuese

Denoncimi: Tonin Doda, i arrestuar në vitin 2015 për një hetim mbi tenderët e Ujësjellësit, pretendohet se sot drejton njëkohësisht mirëmbajtjen dhe kanalizimet në Durrës.

Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e Publik.al, ku ngrihen pretendime serioze për funksionimin e Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës dhe për një prej drejtuesve të institucionit.

Denoncuesi, identiteti i të cilit është ruajtur, pretendon se Tonin Doda, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës, vijon të mbajë aktualisht poste drejtuese në ndërmarrje, pavarësisht se në vitin 2015 ishte arrestuar në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre.

Në mars të vitit 2015, Policia e Durrësit arrestoi Tonin Dodën dhe Franc Stajkën, pas një vendimi të Gjykatës së Durrësit, me kërkesë të Prokurorisë. Të dy, në atë kohë, dyshoheshin për shpërdorim detyre, lidhur me procedura prokurimi në Ujësjellës-Kanalizime Durrës.

Sipas raportimeve të kohës, hetimi lidhej me tenderin për furnizimin me ujë të zonës Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, si dhe rikonstruksionin e rrjetit të ujit të pijshëm në Shkozet dhe Sukth. Dy ish-zyrtarët dyshoheshin se, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, kishin paracaktuar fituesin e tenderit, duke shkaktuar një dëm prej rreth 30 milionë lekësh.

Hetimi kishte nisur pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ndërsa auditimi kishte evidentuar shkelje në disa procedura prokurimi.

Pretendimi i ri

Në denoncimin e mbërritur në redaksi pretendohet se Tonin Doda aktualisht mban dy funksione drejtuese në strukturat e Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës.

“Tonin Doda i dënuar me burg për korrupsion në Durrës ishte kryeinxhinier, drejtor mirëmbajtje dhe drejtor i kanalizimeve. Sot që po ju shkruaj, mban ende dy funksione, drejtor mirëmbajtje dhe drejtor i kanalizimeve Durrës”, thuhet në mesazhin e denoncuesit.

Denoncimi ngre gjithashtu pretendime për cilësinë e ujit në Durrës, duke përmendur ndotje dhe praninë e E. coli.

“Durrësi ndotura uji me ndotje dhe me E. Coli. Ju lutem ky lloj skandali duhet të marrë fund”, shkruan denoncuesi.

Në mesazhin e tij ai pretendon gjithashtu se është larguar nga puna dhe se ndaj tij dhe familjarëve të tij janë ushtruar presione.

Këto pretendime nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga Publik.al dhe nuk përbëjnë konstatime faktike. Për këtë arsye, mbetet për t’u sqaruar nga institucionet përkatëse nëse Tonin Doda mban aktualisht funksionet e pretenduara, cili është statusi i tij ligjor dhe nëse ekzistojnë të dhëna zyrtare që konfirmojnë apo rrëzojnë pretendimet për cilësinë e ujit.

Denoncimi i plotë:

“Dua të bëj një denoncim por ju lutem të mbetet sekret se këta jo vetëm të largojnë nga puna por dhe të sulmojnë familjarisht. Nuk ka turp më të madh.

Tonin Doda i dënuar me burg për korrupsion në Durrës ishte kryeinxhinier, drejtor mirëmbajtje dhe drejtor i kanalizimeve.

Sot që po ju shkruaj, mban ende dy funksione drejtor mirëmbajtje dhe drejtor i kanalizimeve Durrës.

[Pretendimi vijues i denoncuesit për cilësinë e ujit dhe praninë e E. coli.]

Ju lutem ky lloj skandali duhet të marrë fund. Nuk shkojmë dot në punë, këta janë bandë.”

Screenshot
Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.