Pas takimeve në Pogradec, zbulohet lëvizja e radhës e Ramës
Kryeministri mbledh socialistët të premten në selinë rozë
Pas dy ditëve të takimeve në Pogradec, kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një tjetër mbledhje me drejtuesit e Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar.
Të premten, në orën 17:30, Rama pritet të mbledhë në selinë e Partisë Socialiste drejtuesit politikë të qarqeve dhe të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar.
Takimi vjen vetëm pak ditë pas mbledhjeve me dyer të mbyllura në Pogradec, ku fokusi kryesor ishte përcaktimi i një qasjeje të re të qeverisë dhe Partisë Socialiste ndaj problematikave dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Gjatë takimeve në Pogradec, Rama kërkoi që nevojat e qytetarëve të vendosen në qendër të axhendës së qeverisë. Ministrat janë ngarkuar që çdo muaj të monitorojnë punën e drejtorive dhe institucioneve që varen prej tyre, ndërsa drejtuesve politikë të qarqeve u është kërkuar të rrisin praninë në terren dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarët.
Kjo qasje e re është reflektuar nga Partia Socialiste edhe në dy dokumentet e prezantuara si “Besa” dhe “Prania Besnike”, të cilat synojnë të përcaktojnë një mënyrë më të drejtpërdrejtë të komunikimit dhe ndjekjes së problematikave në terren.
Në Pogradec u prezantua gjithashtu platforma “Pasqyrë Albania”, e konceptuar si një mekanizëm për mbledhjen, administrimin dhe ndjekjen e ankesave të qytetarëve. Synimi i deklaruar është që problematikat të marrin përgjigje brenda një periudhe prej dy javësh, ndërsa qytetarët të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale statusin e kërkesës së tyre dhe institucionin ku ajo ndodhet.
Platforma parashikohet të mbështetet në dy mekanizma kryesorë. “Flamingo Albania” do të shërbejë për evidentimin dhe grumbullimin e ankesave e shqetësimeve, ndërsa “Radar” do të ndjekë trajektoren e kërkesave nëpër ministri, bashki dhe institucione të tjera përgjegjëse.
Në takimet e zhvilluara në Pogradec, ministrat kanë analizuar gjithashtu punën e deritanishme në sektorët që drejtojnë dhe kanë paraqitur prioritetet për periudhën e ardhshme.
Mbledhja e së premtes në selinë e Partisë Socialiste pritet të shërbejë si vijim i këtij procesi, me fokus te koordinimi mes drejtuesve politikë dhe ministrave dhe zbatimi në terren i qasjes së re të kërkuar nga kryeministri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



