E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD del kundër krijimit të shtetit bektashi: Projekt antikombëtar!
Lajme

PD del kundër krijimit të shtetit bektashi: Projekt antikombëtar!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë sërish kundër nismës për krijimin e një shteti bektashi në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një projekt që bie ndesh me Kushtetutën dhe karakterin laik të shtetit shqiptar.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha deklaroi se Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë nismë që prej fillimit dhe se qëndrimi i tij publik për këtë çështje daton të paktën prej vitit 2024.

Sipas kreut të PD-së, krijimi i një shteti bektashi nuk është në përputhje me traditën e Shqipërisë dhe mund të nxisë përçarje mbi baza fetare në një shoqëri që, sipas tij, e ka tolerancën dhe bashkëjetesën fetare ndër vlerat e saj kryesore.

“PD ka reaguar fuqimisht. Cilido që është i interesuar për reagimet e PD, i sugjeroj t’u referohet deklaratave të mia. Kam qenë në arrest shtëpie kur unë kam ngritur zërin kundër tij dhe duhet të ketë qenë janari i vitit 2024.”

Berisha tha se të njëjtin qëndrim Partia Demokratike e ka mbajtur edhe gjatë vitit 2025, ndërsa argumentoi se iniciativa nuk i shërben vetë komunitetit bektashi.

Berisha: Nisma është kundër bektashizmit shqiptar

Kreu i opozitës e cilësoi nismën si një veprim që, sipas tij, bie në kundërshtim me historinë dhe kontributin e bektashizmit në Shqipëri.

“Të njëjtin reagim dhe të fortë, PD ka bërë në vitin 2025. Dhe, në bindjen time më të thellë, ky është një akt në radhë të parë kundër bektashizmit shqiptar, i cili ka qenë dhe është një shtyllë e vërtetë e atdhetarisë.”

Berisha solli në vëmendje edhe rolin historik që, sipas tij, figura dhe personalitete të lidhura me bektashizmin kanë pasur në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar.

“Bektashinj ishin frashërllinjtë, themeluesit e doktrinës së shqiptarësisë. Bektashinjtë ishin rezistentët e pamposhtur ndaj pushtimeve dhe diktaturës. Ata kanë gjakun e tyre, besimin e tyre, kontributin e tyre në Shqipërinë e pavarur shtet sovran dhe nuk kanë luftuar kundër për një shtet bektashi.”

Sipas Berishës, pikërisht historia e këtij komuniteti tregon se bektashinjtë kanë qenë pjesë e përpjekjeve për forcimin e identitetit dhe unitetit kombëtar dhe jo për krijimin e një strukture shtetërore mbi bazë fetare.

“Ata kanë frymëzuar unitetin kombëtar dhe kjo aventurë, e cila siç kemi deklaruar më parë, vjen në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë, vjen në kundërshtim të hapur me karakterin laik të shtetit shqiptar që nga themelimi i tij gjer sot, përpiqet të nxisë përçarje fetare në një vend ku toleranca dhe bashkëpunimi fetar është gjëja më madhështore në shpirtin e atij populli.”

Berisha e mbylli qëndrimin e tij duke theksuar se Partia Demokratike do të vijojë ta kundërshtojë nismën, të cilën e cilësoi me tone të forta si “antikushtetuese, antishqiptare dhe antikombëtare”.

“PD ka qenë dhe është e prerë ndaj kësaj nisme antikushtetuese, antishqiptare, antikombëtare, e të tjera me radhë”, tha Berisha.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.