E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PD gati për zgjedhjet lokale , mbështet Florjan Binajn në Tiranë
Lajme

PD gati për zgjedhjet lokale , mbështet Florjan Binajn në Tiranë

Partia Demokratike ka zyrtarizuar kandidatët e saj për zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen më 9 nëntor në gjashtë bashki të vendit: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë.

Në kryeqytet, opozita ka vendosur të mos garojë me një kandidat të saj, por të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj, i cili është bërë i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj pushtetit dhe përfshirjen aktive në protestat qytetare.

Në Tepelenë, PD ka përzgjedhur Gabriel Gumën, 26-vjeçar me profesion sipërmarrës, i cili do të përballet me kandidatin e PS-së, ish-komandantin e Gardës së Republikës Gramoz Sako.

Në Vlorë, opozita ka zgjedhur të mbështesë Dionis Sotën, kandidat i pavarur që ka shpallur vizionin e tij për një “Vlorë Evropiane për të gjithë”.

Për Bashkinë e Matit, kandidati i PD-së është Eduart Brahilika, avokat në profesion, i cili do të përballet me socialistin Altin Bojni.

Në Cërrik, PD do të përfaqësohet nga Amarildo Hoxha, mjek me profesion, që do të garojë përballë Florenc Dokës të PS-së. Kjo garë vjen pas largimit të Andis Sallës, i cili mori detyrën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkohë, në Berat, opozita ka zgjedhur kandidatin Pavlo Shkarpa.

Tre nga bashkitë ku zhvillohen zgjedhjet – Berat, Tepelenë dhe Mat – mbetën pa kryetarë pas zgjedhjeve të 11 majit, pasi drejtuesit e tyre socialistë u zgjodhën deputetë. Në Vlorë, Ermal Dredha dha dorëheqjen si kryebashkiak, ndërsa në Cërrik, Andis Salla u transferua në qeveri.

Ndërkohë, për Bashkinë e Tiranës, zhvillimi i zgjedhjeve mbetet pezull deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas ankimimit të Erion Veliajt lidhur me shkarkimin e tij nga detyra.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.