PD: Nëndrejtoresha e QSUT-së i jep të birit TENDERIN me vlerë 6.8 milionë EURO!

Zëdhënësja për Anti-Korrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli denoncoi sot nga selia blu se Edi Rama i ka dhënë tenderin për trajtimin e mbetjeve mjekësore, kompanisë së djalit të nëndrejtoreshës së QSUT, Ariana Strakosha.

Sipas Vangjelit me pronar të 70% të aksioneve Arbër Teqjan, i biri i nëndrejtoreshës së QSUT, Arjana Strakosha dhe djali i tezes së Amant Josifit.

“Në total janë 6.8 miliardë ose 6.8 milionë euro para publike për të cilat Arbër Teqja, nëndrejtoresha e QSUT Arjana Strakosha dhe Edi Rama duhet të japin llogari në SPAK”, denoncoi ajo.

Deklarata e plotë:

Para rreth katër vitesh, më 3 Prill 2020, Edi Rama nënshkruan në stilin e tij fap-fap-fap një VKM që, po ta pyesësh do të thotë se nuk e ka parë.

Bëhet fjalë për VKM nr. 273 për Miratimin e kontratës për lotin 2 me objekt ‘Trajtim dhe asgjësim të mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19 për QSUT’. Palë janë Ministria e Shëndetësisë dhe operatori ekonomik ‘ECO RICIKLIM’, sh.p.k.

Sigurisht që Rama nuk e ka parë, sepse dihet që ai nuk nënshkruan kurrë VKM për kontrata klienteliste. Ku ta dinte ai se kontrata sekrete ishte me kompaninë ECO RICIKLIM shpk. Me pronar të 70% të aksioneve Arbër Teqjan, i biri i nëndrejtoreshës së QSUT, Arjana Strakosha dhe djali i tezes së Amant Josifit.

Sqarojmë publikun se nëndrejtoresha e Qsut Ariana Strakosha është e motra e Komisioneres së Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, Pranvera Strakosha, nëna e të superkërkuarin Amant Josifit ortaku i vëllait të KM Edi Rama. Edhe njëherë tjetër mafia shpërndan tentakulat në institucione shtetërore me firmën e Edi Ramës.

Ku ta dinte Kryeministri se nëndrejtoresha do hante kumbulla pas shpinës së tij. Ai nuk shihte Ahmetajn kur i hante kumbulla në krah. A është kjo kontratë sekrete klienteliste e vetmja? Sigurisht, që jo…

Djali i tezes së Amant Josifit, Arbër Teqja rezulton pronar në kompaninë Eco Riciklim shpk dhe MSE shpk deri 31 Maj 2023. Eco Riciklim shpk ka përfituar në total mbi 5 milion euro për kontrata publike, përfshirë QSUT ku ka të ëmën nëndrejtore.

Ndërsa MSE shpk ka përfituar në total 1.8 milion euro për pagesa kontratash publike përfshirë QSUT. Në total janë 6.8 miliard ose 6.8 milion euro para publike për të cilat Arbër Teqja, nëndrejtoresha e QSUT Arjana Strakosha dhe Edi Rama duhet të japin llogari në SPAK.

Të vjedhësh fondet publike me emrat e familjarëve të zyrtarëve të lartë nuk është e padëgjuar për shqiptarët …nuk keni parë gjë akoma.

Të përfitosh duke përdorur fatkeqësi si pandemia e Covid19 është çnjerëzore…..nuk keni parë gjë akoma. Të gjitha i ofron Edi Rama dhe i paguan shtrenjtë qytetari shqiptar, falë njeriut që premtoi shëndetësinë falas në vitin 2013.

Publikuar nga Publik Media