Peleshi i Ramës nuk ruan dot dokumentin “sekret” nga “hajduti” Shehaj
Naim Noka
Ka momente kur një opozitë nuk matet me numrin e votave, por me guximin për të ndalur një procedurë të errët. Sot, Agron Shehaj bëri pikërisht këtë, duke marrë në dorë marrëveshjen që po tentohej të kalonte në Kuvend pa transparencën minimale që kërkon një shtet demokratik.
Pyetja është e thjeshtë.
Nëse marrëveshja është në interes të Shqipërisë, pse u mbajt sekret? Pse ky nxitim për të votuar një angazhim mbi 300 milionë euro pa u lexuar, pa u debatuar dhe pa u njohur nga deputetët dhe qytetarët?
Askush nuk mund ta justifikojë mungesën e transparencës duke u fshehur pas emrit të Shteteve të Bashkuara. Pikërisht sepse bëhet fjalë për aleatin strategjik të Shqipërisë, standardi duhet të jetë edhe më i lartë. Marrëdhënia me SHBA nuk ndërtohet me dokumente të fshehura dhe procedura të përshpejtuara, por me institucione serioze dhe respekt për ligjin.
Nëse opozita parlamentare ul kokën edhe këtë herë përballë kompleksit politik që ka krijuar emri i SHBA-së dhe voton një marrëveshje që nuk është lexuar publikisht në sallën e Kuvendit, atëherë ajo të marrë rrogën e të shkojë në shtëpi. Nuk është detyra e opozitës të vulosë verbërisht vendimet e qeverisë por t’i kontrollojë ato.
Sepse problemi nuk është aleanca me Amerikën. Problemi është përdorimi i saj si mburojë politike nga një kryeministër që prej vitesh përpiqet të krijojë perceptimin se gëzon një raport të privilegjuar me Uashingtonin, ndërsa çdo dokument strategjik shndërrohet në instrument propagande të brendshme.
Shteti shqiptar mund të jetë dobësuar nga korrupsioni, klientelizmi dhe kapja e institucioneve. Mund të jetë bërë i cenueshëm dhe i varur në shumë drejtime. Por ende nuk duhet të pranojë që Kuvendi të shndërrohet në një noter që vulos marrëveshje shumëmilionëshe pa ditur as përmbajtjen e tyre si zyrë protokolli.
Përballë këtyre turpeve të Kuvendit të Zegjinesë, reagimi qytetar dhe protesta mbeten mjeti demokratik i vetëm me të cilin qytetarët kërkojnë llogari kur përfaqësuesit e tyre nuk e ushtrojnë më këtë detyrë.
Peleshi dhe Rama që nuk po munden të hyjnë dot normalë në Kuvend prej ditësh,sikur edhe 1 miliard euro të firmosin apo të noterizojë me procedura të fshehta, kjo nuk ndryshon asgjë në raportin e kryeministrit me administratën e Departamentit Amerikan të Shtetit. Siç po duken bathët, në shtator kryministri mbret do të futet me blinda në kopshtin e tij privat….
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



