E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pengmarrje në Vlorë? Të akuzuarit përmbysin të gjithë ngjarjen
Denoncime

Pengmarrje në Vlorë? Të akuzuarit përmbysin të gjithë ngjarjen

Versioni që ndryshon gjithçka

Rrëfimi në redaksinë e publik.al: Ai erdhi vetë, ishte takim i kërkuar prej tij!

Një konflikt që në pamje të parë ishte mbyllur me një shtrëngim duarsh, ka përfunduar në një nga ngjarjet më të rënda të ditëve të fundit në Vlorë, me akuza për rrëmbim, dhunë dhe zhvatje.

Policia ka arrestuar 24-vjeçarin Brajan Habazaj, ndërsa në kërkim janë shpallur Roberto Lapa, 29 vjeç, dhe Leandro Kapllani, 34 vjeç, të dy banues në fshatin Risili. Sipas hetimeve dhe njoftimit zyrtar që policia dha atë ditë, ata dyshohet se kanë marrë me forcë një 20-vjeçar, e kanë çuar në një ambient të izoluar dhe e kanë dhunuar duke i kërkuar 6 mijë euro.

Por një dëshmi e gjatë, e mbërritur në redaksinë e publik.al, së bashku me disa komunikime të ndryshme, hedhin dritë mbi një kronologji të ndërlikuar ngjarjesh që paraprinë këtë episod.

Sipas kësaj dëshmie, gjithçka nis pasditen e një dite më parë, rreth orës 16:00, kur një prej personave të përfshirë kontaktohet nga Brajan Habazaj. Ky i fundit i kërkon të organizojë një takim me një tjetër person, të identifikuar si Edvisi, me qëllim “për t’u ulur dhe për të sqaruar muhabetin”.

Takimi organizohet fillimisht në zonën e Skelës në Vlorë dhe më pas zhvendoset në Plazhin e Vjetër, një zonë e hapur, e frekuentuar dhe nën mbikëqyrje kamerash. Sipas dëshmisë, ky nuk ishte një takim i fshehtë, por përkundrazi, një përballje në një ambient publik, çka përforcon idenë se palët nuk prisnin përshkallëzim të situatës në atë moment.

Por ajo që ndodh në vendtakim është krejt ndryshe nga sa pritej.

Personi që kërkonte sqarimin, sipas dëshmitarit, paraqitet në gjendje të dehur, me sjellje të paqëndrueshme. “Nuk dinte çfarë fliste, binte për tokë, vjellte”, thuhet në dëshmi, duke e përshkruar situatën si kaotike dhe të pamenaxhueshme. Takimi zgjat vetëm pak minuta dhe nuk prodhon një zgjidhje reale.

Pas largimit nga plazhi, palët nuk shpërndahen përfundimisht. Lëvizjet vijojnë.

Sipas rrëfimit, ata zhvendosen fillimisht në një tjetër zonë të qytetit dhe më pas ndalojnë pranë varrezave të Vlorës, ku zhvillohet një diskutim më i gjatë. Në këtë fazë, përfshihen edhe persona të tjerë, ndërsa bëhen përpjekje për të sqaruar se kush qëndron pas konfliktit dhe për të ballafaquar pretendimet.

Dëshmitari këmbëngul se në këtë pikë situata është qetësuar. “I dhamë dorën njëri-tjetrit, u ndamë mirë, thamë që nuk kemi më kontradikta”, shprehet ai, duke lënë të kuptohet se konflikti ishte mbyllur aty.

Por zhvillimet marrin një kthesë tjetër.

Për shkak të gjendjes së rënduar të njërit prej personave, grupi ndalon në zonën e Risilisë. Sipas dëshmisë, aty bëhen disa ndalesa, furnizim me karburant, blerje pijesh, dhe qëndrojnë për disa minuta duke biseduar. Dëshmitari thekson se këto lëvizje mund të verifikohen lehtësisht përmes kamerave të bizneseve në zonë.

Megjithatë, vetëm pak ditë më pas, tensioni rikthehet në mënyrë të papritur.

Në dëshmi pretendohet se një nga personat e përfshirë është shfaqur pranë banesës së tij në fshatin Risili, duke përdorur një automjet tip “Ford Kuga” me xhama të zinj. Automjeti është ndalur pranë shtëpisë dhe, në momentin kur bashkëshortja e dëshmitarit ka dalë me fëmijët, është kryer një manovër e rrezikshme.

“Ai i frenoi te këmbët”, thuhet në audio, duke e përshkruar episodin si një akt kërcënimi të drejtpërdrejtë ndaj familjarëve. Ngjarja, sipas tij, është denoncuar në polici, por nuk ka marrë reagimin e pritur.

Konflikti përshkallëzohet më tej duke përfshirë edhe prindërit.

Sipas dëshmisë, babai i tij, një i moshuar mbi 70 vjeç, është kontaktuar dhe është ftuar për të tërhequr një denoncim. Ai është shoqëruar drejt Vlorës së bashku me bashkëshorten, ndërsa gjatë kësaj kohe janë zhvilluar takime dhe komunikime të tjera mes palëve.

Por në një kthesë të papritur, sipas dëshmitarit, pala tjetër ka bërë një denoncim të ri, duke akuzuar pikërisht prindërit për ushtrim presioni, një lëvizje që ai e interpreton si përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e çështjes.

Në këtë pikë, rrëfimi përplaset drejtpërdrejt me versionin zyrtar të policisë.

Ndërsa dëshmia flet për takime, tentativa për pajtim dhe një konflikt që pretendohet se ishte mbyllur, hetimet flasin për një rrëmbim të mirëorganizuar dhe ushtrim dhune për përfitim financiar.

Dy narrativa krejt të ndryshme për të njëjtën ngjarje.

Më poshtë dëshmia e plotë e mbërritur në redaksinë e publik.al:

“Par dje, rreth orës 4 të pasdites, më shkruan Brajan Abazaj, i cili është i ndaluar për këtë ngjarje, dhe më thotë që ‘më ka thënë Visi që kërkon t’ju takojë Edvisi’.

Ne morëm rrugën me Brajanin, e kam çuar deri në Vlorë, tek rrotullimi në Skelë, dhe e kam lënë aty, sepse më tha: ‘iki unë të takoj djalin’. Më tha gjithashtu t’i thosha që të vinin me ne, të uleshin dhe të sqaronim muhabetin.

Kështu e lamë.

Më pas, Brajani na shkruan mesazh: ‘Hajde se jemi te Plazhi i Vjetër në Vlorë’. Siç dihet, është ambient me kamera, i survejuar, me pushues e turistë – ishte plot me njerëz atë ditë.

Kur kemi vajtur, e kemi takuar vetëm për 2 minuta. Ai zbriti nga makina, por ishte i pirë, nuk dinte çfarë fliste. Ishte në gjendje shumë të keqe, i merreshin mendtë, binte përdhe, vjellte.

Në atë moment, vëllai im i mori makinën, sepse Brajani nuk donte ta linte vetëm. I thamë që të vinim edhe ne që të mos hapeshin probleme.

Unë nuk kam zbritur fare nga makina ime. Ai erdhi vetë te makina ime. Pastaj, aty ku ndaluam, i dhamë çelësat vëllait tim, para kamerave të lokaleve, çdo gjë është e filmuar.

Pastaj hipëm në makinën time dhe u larguam. Ne ikëm të parët, më pas iku edhe vëllai im.

Më pas ndaluam tek varrezat e qytetit të Vlorës. Aty u përballëm me të për debatin që kishim, për sherrin dhe për çështjen se kush ishte personi i dytë që na kishte sharë. Edhe Edvisi besoj e ka deklaruar këtë në komisariat.

Aty erdhi edhe një djalë tjetër, që e morën në telefon dhe e sollën për ta përballur me Edvisin.

Në fund, u sqaruam. I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe i thamë që nuk kemi më kontradikta. Ai po ngatërrohej shumë sepse ishte i pirë, po vjellte.

Më pas u nisëm drejt varrezave të Risilisë. Gjatë rrugës ai nuk ndihej mirë, kështu që i bleva një ‘Bravo’ lëng molle në një dyqan. Këtë e vërteton edhe vetë ai.

Po ashtu, kemi ndaluar për benzinë te një pikë karburanti në Qafë, te Selimi, ku kemi hedhur 10 mijë lekë karburant. Pas kësaj kemi blerë edhe pije të tjera dhe kemi shkuar te varrezat e Risilisë.

Aty kemi qëndruar rreth 15 minuta duke diskutuar. Ka ardhur edhe babai im dhe e ka parë djalin në atë gjendje.

Kur u larguam, u ndamë shumë mirë, me të qeshura. Ai na dha dorën dhe na tha: ‘Ikni çuna, se muhabeti u mbyll’.

Madje aty, në vendin ku kemi qëndruar, janë ende kanaçet dhe mbetjet e ushqimit që kemi konsumuar. Gjithashtu mund të verifikohen edhe kamerat e lokalit në qendër të fshatit Risili – ne kemi hyrë nga një anë dhe ai nga një tjetër, dhe po ashtu kemi dalë në drejtime të ndryshme.

Unë jam i gatshëm t’i deklaroj këto edhe me video, me fytyrë, me orare të sakta, për të treguar kur jemi takuar, sa kemi qëndruar dhe kush na ka parë.

Ndërkohë, ditën e hënë të kësaj jave, sipas një videoje që kam parë, ai ka hyrë në fshatin Risili me makinën e tij tip ‘Ford Kuga’, gri me xhama të zinj.

Makina e 20 vjeçarit Edvis Demaj
Makina e 20 vjeçarit Edvis Demaj

Ka shkuar në lagjen ku banoja unë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e mi dhe është parkuar pranë makinës time, e cila ishte e parkuar pasi unë isha në punë me një makinë tjetër.

Kur ka parë që bashkëshortja ime ka dalë nga shtëpia me fëmijët, ai ka kthyer makinën dhe, gjatë kthimit, i ka frenuar pranë këmbëve të saj. Ajo nuk e ka dalluar kush ishte brenda, për shkak të xhamave të zinj, por ka identifikuar targën.

Më pas, unë kam shkuar në Vlorë dhe kam marrë informacion nga persona që e njihnin makinën.

Këtë ngjarje e kemi denoncuar në Policinë e Vlorës, por nuk është marrë parasysh. Bashkëshortja ime, me dy fëmijët, ka bërë kallëzim me prova, me kërcënime telefonike dhe çdo gjë, por nuk është marrë në konsideratë.

Ndërkohë, është marrë për bazë denoncimi i një personi që, kur erdhi te varrezat e Risilisë, ishte i ulur në kofanon e makinës së tij duke pirë dhe vjellë, duke thënë se ‘do bëj skandale në Vlorë dhe do marr lekë nga të gjithë’.

Dje, rreth orës 5 të pasdites, ai ka telefonuar babanë tim dhe i ka kërkuar të shkonin për të tërhequr denoncimin.

Babai im, rreth 70 vjeç, dhe nëna ime rreth 60 e ca, janë marrë me makinë dhe janë çuar në Vlorë. Aty ai ka blerë edhe një telefon me lekët e tij dhe u ka ofruar kafe.

Ndërkohë që prisnin nënën e tij për të tërhequr denoncimin, pala tjetër ka bërë një tjetër kallëzim, duke pretenduar se babai dhe nëna ime kanë ushtruar presion ndaj tij.”

Më poshtë bisedat e zhvilluara mes palëve:

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.