Perëndimi duhet garantojë sigurinë energjetike, ndryshe lufta është e humbur

Instinkti natyror i Putinit është të përshkallëzojë çdo krizë për Perëndimin…

SEDE Public hearing ‘ The use of Private Security Companies in the context of European security and defence ‘

Përfundimet nga Konferenca e Sigurisë e Munihut e muajit të kaluar janë të njohura, por gjithsesi ia vlen që të përmenden sërish. Bashkëbiseduesit e mi amerikanë, u rikthyen në shtëpi nga Evropa me një panoramë të zymtë të çështjeve botërore: gjakderdhja në Izrael dhe Gaza, kërcënimi i një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme, rreziqet për tregtinë dhe transportin nga aktiviteti terrorist, dhe më e rëndësishmja lufta e vazhdueshme në Ukrainë, dhe kërcënimi gjithnjë në rritje i Rusisë ndaj vendeve evropiane dhe të NATO-s.

Ky i fundit është përshkallëzuar edhe nga dështimet e fundit, për t’i siguruar Ukrainës paratë dhe armët që i nevojiten për t’u mbrojtur. Kësaj i shtohet edhe lajmi për vrasjen e Navalny-t, që tregoi atë që duhet të dimë të gjithë: instinkti natyror i Putinit është të përshkallëzojë çdo krizë për Perëndimin.

Në Kremlin nuk kemi një partner, por një ish-operativ të KGB-së, synimi i të cilit është të rindërtojë një perandori ruse, jo përmes zhvillimit dhe reformës, por përmes pushtimit dhe gjakderdhjes. Paratë dhe armët, janë elementë thelbësorë që Ukraina të fitojë këtë luftë dhe rrjedhimisht për një Evropë, e cila dëshiron të jetë serioze në frenimin dhe mposhtjen e agresionit rus.

Por kjo nuk është e gjitha. Në të njëjtën frymë, ne duhet të diskutojmë edhe për energjinë, e cila shumë shpesh trajtohet si një shqetësim dytësor. Në fakt, nuk është i tillë. Energjia që na vjen nga Shtetet e Bashkuara, është thelbësore për të gjithë çështjen e sigurisë evropiane.

Gjatë dekadave të fundit, vendimi për ta thelluar varësinë nga gazi rus tani, është dëshmuar si një gabim shumë i rëndë, siç e parashikuam në atë kohë unë dhe presidenti i ndjerë i Polonisë, Lech Kaczynski. Në vend se të kultivonim ndjenjën e ndërsjellë të bashkëpunimit, ne u përballëm me kritika të forta.

Rezultati ka qenë një Evropë naive, që e subvencionoi armiqësinë e Rusisë duke e zgjeruar ekspozimin tonë ndaj shantazheve energjetike. Mënyra se si të zhbëhen gabime të tilla, dhe si të parandalohet një katastrofë e ngjashme, varet nga dy faktorë të thjeshtë: oferta dhe kërkesa.

Duke analizuar së pari kërkesën, a mund të reduktohet kërkesa evropiane për gazin rus? BE -ja ka shpenzuar miliarda euro për një tranzicion energjetik, dhe ka bërë përpjekje për të mbështetur karburantet e rinovueshme dhe energjinë e pastër. Pavarësisht kostove të mëdha, nuk ka asnjë shans që të bjerë kërkesa për gaz në Evropë.

Teknologjia, industria, infrastruktura dhe komunitetet do të vazhdojnë të mbështeten tek karburantet tradicionale. Nuk ka asnjë zgjidhje nga ana e kërkesës ndaj çështjes se si të zvogëlojmë varësinë tonë nga gazi. Zgjidhja e vetme, është që Evropa të sigurojë një furnizim në shkallë të gjerë me gazin jo-rus.

Për të pasur një siguri energjetike të vërtetë, energjia e prodhuar në vend do të ishte opsioni më i mirë. Por Evropa nuk është një prodhuese e rëndësishme i energjisë në vend. Opsioni tjetër më i mirë, është furnizimi nga një aleat i fortë. Fatmirësisht zgjidhja është SHBA-ja.

Vetëm në 6 muajt e parë të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara eksportuan më shumë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë sesa kanë bërë ndonjëherë më parë. Gati 2/3 e të gjitha eksporteve të LNG-së amerikane po mbërrijnë tani në Evropë, duke na dhënë mundësi të heqim dorë nga gazi rus dhe duke vazhduar të garantojmë sigurinë e furnizimit.

Pesha e gazi rus në Evropë ka rënë nga 41 për qind në vitin 2021, në vetëm 8 për qind në vitin 2023, dhe ky është një sukses i madh. LNG-ja amerikane është gjithashtu më pak ndotëse sesa gazi rus, dhe furnizimi i tij mund të zgjerohet ndjeshëm pasi Shtetet e Bashkuara mund të ndërtojnë më shumë terminale për LNG.

Evropa do të kishte siguri dhe parashikueshmëri të furnizimit me energji për dekadat në vijim, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të fitonin të ardhura të reja të konsiderueshme nga energjia dhe do të kishte një bum vendesh të reja të punës në shtetet jugore, ku ndodhen terminalet e LNG-së.

Pasiguria e prodhimit të energjisë, ka qenë gjithmonë thelbësore në lojën neo-perandorake të Putinit për ta përçarë Evropën, për të rifituar ndikimin dikurshëm dhe për të shantazhuar ata që guxuan të kundërshtonin sundimin e tij.

Siguria energjetike duhet të jetë në zemër të unitetit të Perëndimit dhe nëse arrihet siç duhet, ajo mund të çimentojë lidhjen tonë transatlantike. Infrastruktura është kryesisht e vendosur dhe vullneti politik po shtohet, veçanërisht në shumë zona të Evropës ku rrezet e diellit janë të pakta.

Përfitimet ekonomike dhe politike janë të shumta, megjithatë përfituesi më i madh do të ishte qëndrueshmëria jonë kolektive. Në provë është angazhimi ynë ndaj dispozitave të Traktatit të Uashingtonit, veçanërisht për bashkëpunimin ekonomik dhe energjinë, dhe nëse i kapërcejmë ndarjet tona, lidhja transatlantike mund të vazhdojë të shërbejë si kornizë kryesore për zhvillimin tonë të përbashkët.

Partnerët e mi amerikanë, dëgjuan sinjale pozitive nga Evropa. Pavarësisht kësaj, ne u befasuam nga njoftimi i ndalimit të lejeve për terminalet e reja amerikane që dërgojnë gazin LNG tek aleatët evropianë dhe aziatikë. Pasojat e këtij vendimi për Evropën janë shqetësuese.

Furnizimet e ardhshme të SHBA-së me LNG, janë jetike për të shmangur rritjen e madhe të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve që e pamë në vitin 2022, në muajt e parë të fillimit të pushtimit të Ukrainës.

Por këto furnizime të ardhshme mund të mos vijnë. Komisioni nuk duket se e ka kuptuar rëndësinë e vendimit të SHBA. Nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian Maros Sefcovic, ka deklaruar se furnizimi i Evropës nuk do të ndikohet për “2 deri në 3 vjet”. Pos siguria energjetike s’mund të matet me periudha kaq të shkurtra. Planet energjetike, duhet të përqendrohen në një hark kohor prej 2 deri në 3 dekada, dhe jo 2 apo 3 vite.

Evropa duhet të merret seriozisht me sigurinë energjetike afatgjatë, dhe të jetë më efektive në paraqitjen e pikëpamjeve të saj. Komisionit i mungon një mandat demokratik. Ai është kryesisht jo llogaridhënës ndaj votuesve, dhe nuk paguan asnjë kosto për gabimet e tij. Evropianët paguajnë fatura më të larta, kompanitë e tyre s’mund të bëjnë plane dhe investime afatgjata, ndërsa politikanët duhet të shpjegojnë arsyet pse ndoqën politikat e gabuara. Ajo

që për Sefcovic nuk ka pasoja negative, për Andrea Di Giuseppe-n, president i Komisionit për Tregtinë Ndërkombëtare të Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Deputetëve të Italisë, “do të ketë pasoja të mëdha për sigurinë energjetike të BE-së” dhe e “dëmton sigurinë energjetike të aleatëve të saj evropianë”.

Ne jemi sërish dëshmitarë të së njëjtës skemë:një organ evropian pa një mandat demokratik, që imponon politika me pasoja që duhet t’i vuajnë politikanët dhe shoqëritë në nivel kombëtar. Një shembull i përsosur në këtë aspekt, janë protestat e mëdha të fermerëve evropianë në të gjithë kontinentin muajt e fundit, që bënë bashkë shoqëritë në refuzimin e Marrëveshjes së Gjelbër.

Një shembull tjetër, janë rastet e panumërta në Evropën Perëndimore të qytetarëve të paaftë për të përballuar faturat e tyre të energjisë. Thënë thjesht, ne nuk mund të lejojmë që politikat e dështuara të energjisë të destabilizojnë ekonomitë, dhe të thellojnë varfërinë në shoqëritë tona.

Këtë gjë e kuptojnë fare mirë edhe liderët e biznesit në Evropë. Sekretari i Përgjithshëm i Eurogas, tha se ndërprerja e eksporteve nga SHBA-ja “mund të shkaktojë humbje të besimit tek Shtetet e Bashkuara, si një partner strategjik për sigurinë e energjisë në Evropë”.

Po ashtu “dështimi për të pasur mjaftueshëm LNG amerikan në treg në vitet 2026, 2027 dhe 2028, mund të sjellë rritjen e rrezikut dhe zgjatjen e çekuilibrit të furnizimit global”. Kompanitë që janë përkushtuar ndaj LNG-së amerikane për të hequr dorë nga energjia ruse, po kthehen tek një partner i besueshëm dhe po dërgojnë sinjale shqetësuese. Ne jemi kaq pranë një momenti vendimtar: një epoke të re të furnizuesve të sigurt, të besueshëm dhe të sigurt të energjisë nga aleati ynë gjeopolitik më i afërt.

Mbështetja tek diktatorët rusë, duhet t’i përkasë njëherë e mirë të shkuarës. Por për ta arritur këtë, evropianët duhet të përfshihen në diskutime të sinqerta mbi thellimin e lidhjes sonë transatlantike nëpërmjet bashkëpunimit strategjik energjetik. Nga kjo qasje, do të përfitonte jo vetëm industria dhe punëtorët amerikanë, por edhe siguria, ekonomia dhe autoriteti moral i Evropës.

Liderët evropianë, duhet të dalin nga gardhi dhe të luftojnë për arritjen e atij rezultati. Ne nuk duhet të transferojmë pasuri, siguri dhe mekanizma ndikimi tek partnerët e pabesueshëm. Ne nuk mund të kalojmë nga njëri rrezik në tjetrin, pasi kjo do të ishte fitorja e Putinit./ “National Interest”

Shënim: Anna Fotyga, është deputete e Parlamentit Evropian, dhe ish-Ministre e Jashtme e Polonisë.

Publikuar nga Publik Media