Kush janë dy dëshmitarët që kanë “tmerruar” Ilir Metën?

Hetimet e SPAK duket se kanë alarmuar Ilir Metën. Prokurorët kanë disa dosje në dorë, por ajo që rëndon pozitat e tij është afera CEZ-DIA, pasi ka prova dhe dëshmi flagrante.

Dje Meta doli në një emision dhe përveç Dumanit, target kishte dy emra: Kastriot Ismailin dhe Elvis Matën. Bëhet fjalë për dy emra që flitet se janë dëshmitarët kyç në këtë proces.

Kastriot Ismaili është ish-kreu i DIA, i cili u kontraktua të mblidhte borxhet e CEZ. Ai njihet si mik i ngushtë i Ilir Metës, teksa ky i fundit e cilësonte vëlla në rrethin e tij. Duke bashkëpunuar mes tyre, ata grabitën miliona euro dhe Ismailaj u dënua me 11 vite burg. Vetë Meta e ka thënë disa herë se Altin Dumani ka shkuar te burgu i Fierit i ka marrë dëshmi. Po ashtu, mësohet se është tentuar dhe më pas që Ismailaj të rrëfehet.

Ndërkohë është i ditur fakti se nga përgjimet që janë bërë, Meta i kërkon 200 mijë euro Ismailajt. Këtë e ka konfirmuar dhe gruaja e këtij të fundit në një intervistë. Por teksa nuk dihet shumë se çfarë ka thënë Ismailaj, mësohet se dëshmitari që ka fundosur Ilir Metën është Elvis Mata.

Nga çantat me para te SMS-të flagrante, kush janë dy

Meta në përgjime

Kush është Elvis Mata?

Hetimet e SPAK bazohen në një padi të juristit Romeo Kara dhe në këtë padi, juristi ka treguar me detaje mbi lëvizjet e Elvis Matajt. Madje Kara ka pasur dhe biseda me të, të cilat i tregon në padi.

Elvis Mataj ka pasur njohje te hershme me Ismailajn. Ai ka bërë edhe disa punë të tjera për të, kur ka pas punuar si drejtor, në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë. Elvisi ka pasur edhe me Ilir Metën njohje të hershme, pasi kanë milituar bashkë në Forumin Rinor Eurosocialist, si dhe në LSI. Elvisi është themelues i LSI si dhe drejtuesi i parë i LRI. Po kështu Elvis Mataj është edhe vëllai i ish-këshilltarit të kryeministrit Berisha, Endri Mataj”, thuhet në padi.

Duhet theksuar se Elvis Mata ka pasur rol thelbësor dhe në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt, i cili u dënua me burg.

Kara ka rrëfyer dhe bisedat me ish-zyrtarin e DIA, Elvis Mataj. Sipas tij, ai i ka rrëfyer lidhjet e Metës me Kastriot Ismailin. “Sipas asaj që ka pohuar disa herë, në ambiente të ndryshme vetë Ismailaj, apo ish-drejtori ekzekutiv i DIA-s Elvis Mataj, dyshja Meta-Ismailaj janë takuar në Pragë me dyshen Martin Roman & Tomas Pleskash, të cilët kanë qenë përkatësisht numrat 1 dhe 2 drejtues të CEZ-group. Ismailaj me mburrje në më shumë se një rast, ka pohuar se: ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Pragë, Qazim Tepshi, u aksidentua qëllimisht nga pala çeke, që ai të mos ishte i pranishëm në takimin e sipërpërmendur”, ka rrëfyer juristi.

Kara përmend dhe paratë që kanë qarkulluar në këtë mes.

Në atë kohë ERE uli çmimin e energjisë për CEZ. Kjo e fundit ja u shiste qytetarëve më shtrenjtë dhe fitonte miliona. Sipas Karajt, nga ky favor u kërkuan 10 milionë euro. Ai ka përmendur dhe një valixhe me para. “Elvis Mataj më ka pohuar në mënyrë të përsëritur, mua personalisht se: Kastriot Ismailaj i ka çuar në shtëpi Ilir Metës, në një çantë ngjyrë kafe, që i përkiste Elvis Matës, rreth 200 milionë lekë të vjetra. Kjo gjë ka ndodhur, sipas Elvisit në fund të vitit 2010 ose në fillim të vitit 2011. Më shumë ka mundësi në fillim të vitit 2011”, thuhet në padi.

DËSHMIA E MATËS NË GJYQIN NDAJ ISMALILAJT

Unë kam filluar punë në DIA në muajin shtator 2010, në pozionin e drejtorit ekzekutiv të shoqërisë. Në drejtim, DIA ka pasur përveç drejtorit ekzekutiv, edhe pozicionin e drejtorit të përgjithshëm.

Fokusi i punës sime ka qenë në menaxhimin e pjesës administrative të shoqërisë, duke mbuluar çështjet e financës, burimeve njerëzore dhe sidomos, marrëdhënien me klientin tonë CEZ dhe ndjekjen e menaxhimin integral të kontratës DIA-CEZ, ku unë isha edhe person kontakti për shoqërinë “DIA”.

Njohja me Ismailajn

Shtetasin Kastriot Ismailaj e njoh shumë vite më parë. Duke qenë se banojmë në të njëjtën lagje dhe afër njëri-tjetrit, kemi pasur në vite njohje, por edhe shoqëri të përbashkët.

Nga viti 1999 deri në vitin 2005 kam punuar si bankier në bankat Pro- Credit dhe Emporiki Bank dhe Kastrioti ka qenë klient i bankës si individ dhe si përfaqësuesi i kompanisë. Jemi takuar shumë herë me të në marrëdhënie klientbankë. Pas vitit 2005, jam larguar për dy vite me studime.

Një herë, gjatë një prej takimeve të mëparshme, z. Ismailaj ma bëri shumë të qartë se si ai kishte ndërmend të garantonte interesat e tij në arbitrazh. Një herë tek po qëndronim te barrestoranti i gruas së tij, Ismailaj më tha se ai ishte shumë i afërt me një nga “kumbarët” kryesorë të Shqipërisë.

Ai më tha se ky “Kumbar” mund të bënte gjithçka për z. Ismailaj, me qëllim që të eliminonte të gjitha pengesat që ai mund të haste në çështjen DIA përballë OSHEE-së. Gjithashtu, z. Ismailaj më tha se një “mik” i tij në Serbi ishte në pritje të merrte urdhra nga z. Ismailaj.

Kontrata

Në dijeninë time, kontrata e parë dhe e fundit që ka marrë dhe zbatuar DIA është vetëm kontrata ose marrëdhënia me CEZ Shpërndarje. Termat dhe referencat e kësaj kontrate më janë bërë të njohura shumë kohë më vonë nga Kastriot Ismailaj. Shoqëria ka filluar punë në shtator 2010, me një staf të reduktuar prej 3 personash, nga të cilët vetëm Kastrioti ishte regjistruar në organet tatimore. Më vonë u shtuan në 25-30 persona në muajin tetor 2010, duke arritur diku te 100-110 persona nga muaji nëntor 2010 e më tej.

Në lidhje me kontratën e shërbimit të mbledhjes së borxheve DIA dhe CEZ, objekti kryesor i kontratës ka qenë mbledhja e faturave të papaguara të energjisë elektrike për kategoritë private (biznese), institucione buxhetore dhe jobuxhetore me një vonesës 90 ditë+, e cila përbënte një vlerë diku te 40 milionë euro, që rritej çdo muaj me një trend 5%. DIA merrte si komision 50 % të vlerës së mbledhur të debisë dhe DIA kishte të drejtë të kryente ndërprerje në tension të ulët, kurse në tension të mesëm dhe të lartë ndërprerjet kryheshin nga CEZ me urdhër të DIA-s.

Kontrata kishte një afat 2-vjeçar, me të drejtë rinovimi plus 2 vjet. Afat i parë dyvjeçar ndahej në tri afate 8-mujore, ku përcaktohej një target për çdo afat 8-mujor. Në lidhje me kontratën e parë shtator 2010, Kastriot Ismailaj që në muajin mars-prill 2011 më ka shprehur që çdo gjë e kam rregulluar në Pragë dhe besoj se në vjeshtë do të fillojmë kontratën për mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Më tregoi një dokument prezantimi për DIA-n, të cilin e kishte prezantuar në Pragë.

Një kopje të tij ma ka dhënë në mënyrë elektronike dhe të printuar. Ky dokument kishte në faqe të parë kompaninë austriake “PAssut&Partners”, si autore të këtij studimi. Ky material i paraqitur në “Poëer Point” përshkruante shoqërinë DIA, gjendjet e sistemit energjetik në Shqipëri, situatën e CEZ Shpërndarje, arsyet pse duhet të merrej ky shërbim nga DIA dhe kostot financiare të këtij projekti.

Kur e pyeta Kastriotin në lidhje me kompaninë austriake, më tha që emri është austriak, por prezantimin e kanë bërë dy persona që ishin shtetasit Sokol Hysenaj dhe Petrit Ahmetaj, si persona njohës të mirë të sistemit energjetik në Shqipëri. Di që pas këtij prezantimi u firmos kontrata e shërbimit, më 1 shtator të vitit 2010. /Pamfleti

Publikuar nga Publik Media