E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
BE i jep Serbisë 1.6 miliardë euro , Shqipëria mbetet me ‘gisht në gojë’
Lajme

BE i jep Serbisë 1.6 miliardë euro , Shqipëria mbetet me ‘gisht në gojë’

Serbia është përfituesja më e madhe e paketës së financiare të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, me plot 1.6 miliardë euro.

Pra, Serbia vendi që shkel marrëveshjet e dialogut dhe kërcënon vazhdimisht shtetin fqinj, Kosovën dhe është përballur me kritikat të ashpra deri në hetim nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, do të marrë pjesën më të madhe të përfitimeve nga paketa 6 miliardë euro e përcaktuar për Ballkanin Perëndimor si Plani i Ri i Rritjes për rajonin.

Ky lajm është bërë dije nga media publike serbe RTS, e  cila citon burime diplomatike në Bruksel dhe thotë se sasia e fondeve do të varet nga ecuria ose jo pozitive e reformave të shtetit serb.

Ndërkohë sipas të njëjtës përllogaritje, 969 milionë euro janë ndarë për Bosnje-Hercegovinën, 924 milionë për Shqipërinë, 807 për Maqedoninë e Veriut, 888 për Kosovën dhe 388 milionë për Malin e Zi.

Kjo paketë është burim financiar shtesë krahasuar me ato tashmë të disponueshme përmes fondeve IPA të para-anëtarësimit.

“Sasia aktuale e fondeve të përdorura do të varet nga vlerësimi i BE-së nëse Serbia i përmbush qëllimet e dakorduara në reformën e sundimit të ligjit, sistemin demokratik, normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën dhe harmonizimin me politikën e jashtme të BE-së”., shkruan RTS.

Pasi Parlamenti Europian i dha dritën jeshile planit të rritjes, vendimi pritet të konfirmohet zyrtarisht nga Këshilli i Ministrave të BE-së më 7 maj. Në atë rast, pagesat e para mund të priten para pushimit veror, sipas Brukselit.

Siç shkruan RTS, Serbia dhe vendet e tjera të rajonit kanë dorëzuar tashmë propozime për reforma në pesë fusha kryesore – sundimi i ligjit, klima e biznesit dhe zhvillimi i sektorit privat, zhvillimi i kapitalit njerëzor, energjia dhe tranzicioni i gjelbër dhe sektori dixhital.

Prioritetet e reformës për Serbinë

Ndër prioritetet e reformës për Serbinë është përmbushja e rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhjet, dhe Beogradi gjithashtu pritet të shpjegojë se si reformat e propozuara do të kontribuojnë në përputhjen më të madhe me politikën e jashtme të BE-së.

Pas miratimit të programeve nga Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare, shtatë për qind e fondeve të planifikuara paguhen menjëherë, ndërsa pjesa tjetër kur të zbatohen reformat e dakorduara.

Në debatin e brendshëm ndërmjet anëtarëve të BE-së, kërkesa e disa vendeve që respektimi i plotë i politikës së jashtme të jetë parakusht për përdorimin e fondit të rritjes nuk u miratua, por këto vende do të mund t’i referohen kësaj çështje gjatë zbatimit të planit dhe miratimin e kësteve individuale, sipas burimeve.

Avantazhi i Serbisë, kapaciteti i mirë i administratës publike

Pas miratimit në Parlamentin Evropian, raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, tha se përparësia e Serbisë në krahasim me të tjerat në rajon është kapaciteti i mirë i administratës publike.

Nga ana tjetër, sfida për tërheqjen e mjeteve, sipas Bilçikut, do të jetë puna për sundimin e ligjit, cilësinë e zgjedhjeve dhe përafrimin gradual me politikën e jashtme të BE-së.

“Ky është një instrument i rëndësishëm shtesë që mund t’i sjellë miliarda euro rajonit dhe Serbisë, duke qenë se është vendi më i madh në rajon. Këto para janë në dispozicion të të gjithëve, por vetëm ata që janë duke përparuar do të mund t’i përdorin ato. ”, tha Bilçik.

Një zyrtar i informuar i BE-së thotë se Serbia ka mundësi të shfrytëzojë fondet në dispozicion, por nuk do të jetë e lehtë.

“Nëse shikoni listën e kushteve dhe rregullave që janë përfshirë në Planin e Rritjes, këto janë pikërisht çështjet që e kanë ngadalësuar Serbinë në rrugën e saj drejt BE deri më tani,” tha zyrtari.

Fondi i facilitetit i cili u miratua nga Parlamenti Europian tani pret vetëm votën finale të Këshillit të Ministrave të BE.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.