“Përfitoi 32 mln euro nga bashkitë socialiste”/ Kapllanaj i përgjigjet Berishës: Po kthehet në një shpifës ordiner!
Ndjell vetëm vrer pasi është braktisur nga demokratët
Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Agron Kapllanaj i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për përfitimet e miliona eurove nga ndërtimet.
Në një postim në Facebook, Kapllanaj i ka konsideruar shpifje akuzat e Berishës. Kapllanaj i kujton ish-kryeministrit shpalljen “non-grata” nga SHBA dhe se tashmë ndjell vetëm vrer sepse nuk i del inati.
Më tej, kryetari i degës së Fierit thotë se Berisha është kthyer në një shpifës ordiner, por që nuk mund ta mbajë më peng të ardhmen e PD-së dhe Shqipërisë.
Postimi i Agron Kapllanajt:
Pasi dështoi me turp sepse demokratët e braktisën, Berisha tani sillet vërdallë si ish-politikani i korruptuar, si ish-kryeministri i parë non-grata për korrupsion në historinë e Shqipërisë dhe vetëm vjell vrer sepse nuk i del inati që Fieri është me të ardhmen dhe mbështet Lulzim Bashën.
Çdo ditë ai nxjerr gënjeshtra dhe shpifje të reja si një shpifës ordiner. Por Berisha nuk e mban më dot peng as të ardhmen e PD-së dhe as të Shqipërisë. Ai është vetëm e shkuara e keqe e saj! Ne do punojmë fort derisa të sjellim një të ardhme më të mirë për demokratët dhe gjithë shqiptarët.

Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me mbështetësit e tij në Patos, ka akuzuar kryetarin e PD-së në Fier, Agron Kapllanaj se ka përfituar miliona euro me ndërtimet nga bashkitë socialiste.
Për këtë, Berisha ka akuzuar dhe kryedemokratin Basha, pasi sipas tij, sëbashku me 4 persona të tjerë kanë shitur selinë e PD-së për t’u ndërtuar pallate.
“Me cilin je ti demokrat , me Lul Bravën e parkut të 4 hajdutëve që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate me Ramën dhe Veliajn. Me pallat Kapllanin që fiton dhjetëra e dhjetëra milionë euro që vjen në Tiranë dhe prish shtëpitë e qytetarëvë. Këta janë gjakpiërës, hajdutër. Ja po i them Pallat Kapllanit: Ti them unë atij Pallat Kapllanit, si i fitove 32 milionë euro me bashkitë socialiste këtë periudhë? Sa pagove? Tani na hiqesh si demokrat. Ti je një turp që duhet të largohesh menjëherë nga PD. Sigurisht se mund të ketë marrë ndonjë pallat te Parku 4 hajdutëve.”, shprehet Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



