Përjashtimi i Spiropalit “shpërthen” sherrin në PS, Çuçi përplaset me Ballën
“Kur Edi Rama ju jep poste, nuk kërkoni votëbesim”
Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar me debate mes drejtuesve të mazhorancës për çështjen e Elisa Spiropalit dhe mënyrën se si duhet të procedohet për përjashtimin e saj. Në qendër të diskutimeve është vënë pikërisht nevoja për një votim të qartë të deputetëve, çështje që ka sjellë përballjen mes Bledi Çuçit dhe Taulant Ballës.
Gjatë diskutimit, Bledi Çuçi ka kërkuar të sqarohet se cili është vendimi konkret që po i kërkohet Grupit Parlamentar të marrë. Ai ka vënë në pikëpyetje nëse deputetët duhet të votojnë për përjashtimin e Spiropalit apo thjesht t’i japin një autorizim drejtuesve të partisë për të zhvilluar një komunikim me të.
Çuçi ka këmbëngulur se, nëse synimi është përjashtimi i deputetes nga grupi parlamentar, atëherë kjo çështje duhet të kalojë përmes një votimi të posaçëm, në mënyrë që qëndrimi i deputetëve të jetë i qartë dhe i dokumentuar.
“Duhet ta kuptojmë se çfarë po votojmë. Po e përjashtojmë apo po të autorizojmë ty që të bësh një bisedë me Spiropalin? Nëse duhet të përjashtojmë dikë, duhet të kryejmë një votim në grup, që të jetë i qartë si votim përjashtimi”, mësohet të ketë deklaruar Çuçi.
Qëndrimi i tij është kundërshtuar nga Taulant Balla, i cili ka argumentuar se vendimmarrja politike është marrë tashmë në Asamblenë e Partisë Socialiste dhe është bërë e ditur nga kryetari Edi Rama. Sipas Ballës, ky vendim ka ndikim edhe në Grupin Parlamentar, duke qenë se ky i fundit është një strukturë politike e partisë.
Në përgjigjen e tij, Balla ka zhvendosur debatin te mënyra se si funksionon autoriteti i kryetarit brenda PS-së, duke iu drejtuar Çuçit dhe deputetëve të tjerë me një argument që ka shkaktuar reagime.
“Tani, kemi një vendim politik të marrë nga Asambleja dhe të komunikuar nga Kryetari i Partisë. Ajo vendimmarrje ndikon edhe grupin parlamentar, që është një strukturë politike. Tani, juve kur Edi Rama, kryetari i partisë, ju vendos në poste, ju pranoni atë që ai vendos. Kur vjen puna te raste si ky, doni votim. Kur merrni role, nuk kërkoni votim në forume”, ka deklaruar Balla.
Përplasja nxjerr në pah dy qëndrime të ndryshme mbi procedurën që duhet ndjekur për çështjen Spiropali: nga njëra anë, kërkesën për një votim të drejtpërdrejtë dhe të qartë në Grupin Parlamentar, ndërsa nga ana tjetër, pretendimin se vendimi i marrë nga Asambleja përbën tashmë një orientim politik që duhet të zbatohet edhe nga deputetët.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së sotme është vënë re edhe mungesa e Fatmir Xhafajt, i cili nuk ka qenë i pranishëm në takimin e Grupit Parlamentar të PS-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



