E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Përplasje e ashpër/ Balla akuzon Berishën për nxitje të dhunës, kreu i PD-së e quan “porositës vrasjesh”
Lajme

Përplasje e ashpër/ Balla akuzon Berishën për nxitje të dhunës, kreu i PD-së e quan “porositës vrasjesh”

Seanca plenare e Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta verbale mes mazhorancës dhe opozitës. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë shkëmbyer akuza të rënda nga foltorja e Parlamentit, duke e zhvendosur debatin nga çështjet politike drejt sulmeve personale.

Gjatë fjalës së tij, Balla u përqendrua te retorika e opozitës dhe qëndrimi i saj ndaj integrimit europian, ndërsa nuk la pa ironizuar as deklaratat e deputetit demokrat Tomorr Alizoti, i cili kishte përmendur sekretarët e ish-Partisë së Punës.

Socialisti pretendoi se Berisha është i vetmi që mund të identifikohet me këtë referencë, duke e përdorur këtë argument për të sulmuar drejtuesin e opozitës.

“E dëgjuam me vëmendje nënkryetarin e grupit të PD-së, i cili në fund përmendi edhe sekretarët e Partisë së Punës. I vetmi sekretar i Partisë së Punës është kreu i partisë tënde. Ta gëzoni, ta mbash me shëndet. Sekretarët e partisë mos i shihni nga ne. PS e ka dënuar diktaturën më 12 qershor 1991”, deklaroi Balla.

Balla: Berisha frymëzon dhunën, PD është kthyer në fabrikë molotovësh

Në vijim, kreu i grupit parlamentar socialist e orientoi fjalën e tij drejt procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai kërkoi që edhe demokratët të angazhohen në këtë proces, duke përmendur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku ishte e pranishme edhe komisionerja europiane Marta Kos.

Balla kritikoi opozitën për mungesën e mbështetjes ndaj nismave ligjore që synojnë përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe përmbushjen e reformave të kërkuara në kuadër të negociatave.

Sipas tij, PD duhet të lërë mënjanë përplasjet politike dhe të kontribuojë në këtë proces, në vend që të përdorë një gjuhë që, sipas mazhorancës, nxit konflikt dhe dhunë.

“Është dita që edhe PD të punojë me ne për këtë projekt historik. Jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit, me praninë e Marta Kos, dhe mesazhi i përbashkët i forcave politike duhet të jetë puna e të gjithëve për të çuar përpara këtë program”, u shpreh ai.

Akuzat e Ballës u ashpërsuan më tej kur ai iu drejtua drejtpërdrejt Berishës, duke e cilësuar atë si figurën që, sipas tij, frymëzon dhunën ndaj institucioneve.

“Ende PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat e përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe përmbushjen e reformave. Koha është tani që të lëmë pas diskutimet pa vlerë, retorikën pa vlerë dhe dhunën. Qytetarët shqiptarë nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve, në 35 vite, e frymëzon në Shqipëri vetëm një njeri. Është sekretari i Partisë së Punës brenda jush. Distancohuni nga dhuna”, deklaroi Balla.

Në përfundim, ai përdori edhe një tjetër metaforë të fortë ndaj demokratëve, duke pretenduar se PD është shndërruar në një strukturë që prodhon dhe promovon molotovët, të përdorur gjatë protestave të opozitës.

“PD është sot e vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Ligjin për tubimet, qëndrimin tonë do ta dëgjoni, por sot është ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti më i madh ndonjëherë, gjithë veshët e shqiptarëve janë aty”, përfundoi kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Berisha shpërthen ndaj Ballës: Porositës vrasjesh, vendin e ke në burg!

Përgjigjja e Sali Berishës ishte po aq e ashpër. Nga foltorja e Kuvendit, kryedemokrati hodhi një sërë akuzash të rënda ndaj Taulant Ballës, duke e lidhur atë me persona të botës së krimit dhe me pretendime për porositje vrasjesh.

Berisha e cilësoi Parlamentin aktual si një nga më kriminalët në historinë e vendit dhe përdori etiketime të rënda ndaj deputetëve të mazhorancës, duke veçuar në sulmin e tij kreun e grupit parlamentar socialist.

Në qendër të deklaratave të tij vendosi çështjen e njohur me emërtimin “Bego Yaris”, duke pretenduar se dokumente shtetërore dhe komunikime të caktuara dëshmojnë përfshirjen e Ballës në porositjen e vrasjeve. Këto pretendime u paraqitën nga Berisha gjatë debatit parlamentar.

“Pas parlamentit të 45-ës, ky është parlamenti më kriminal që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Nëse në 45 zunë vend në këtë sallë vrasës serialë, sot në këtë sallë janë kriminelë ordinerë, trafikantë, porositës vrasës, njëri prej tyre Taulant Bego Yaris, me disa mbiemra”, deklaroi Berisha.

Më tej, kreu i PD-së pretendoi se në vitin 2017 një gjyqtare dhe një prokuror kishin zhdukur regjistrime që, sipas tij, lidhen me këto akuza. Ai iu referua gjithashtu një komunikimi të datës 20 shkurt 2020, për të cilin pretendoi se përfshinte biseda mbi tenderat dhe kërkesat që duhej t’i drejtoheshin Taulant Ballës.

Berisha përmendi emra dhe pseudonime që, sipas tij, shfaqen në këto komunikime, duke pretenduar se Balla kishte marrë garanci lidhur me kërkesat për tendera. Ai e përdori këtë material për të vijuar sulmin politik ndaj socialistëve dhe për të kërkuar që çështja të bëhet publike.

“Ky është personi që poshtë dokumenteve shtetërore… Ky e ka vendin në burg. Telefoni i tij është 399, me të cilin janë porositur vrasje. Me aferën Bego Yaris, është regjistruar kur si ministër… Shqiptarët duhet të kuptojnë se ky është parlament krimi për t’ju përcjellë ju në kanalet e zeza të historisë”, u shpreh kryedemokrati.

Gjatë fjalës së tij, Berisha iu drejtua disa herë Ballës me tone provokuese, duke e sfiduar të mos largohej nga salla dhe duke kërkuar që qytetarët të njiheshin me dokumentet për të cilat ai pretendonte se dispononte prova.

Tensionet në Kuvend, Berisha bllokon foltoren dhe flet pa mikrofon

Përplasja nuk mbeti vetëm në nivelin e deklaratave politike. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërhyri duke i kërkuar Berishës të ruante gjuhën e përdorur gjatë debatit parlamentar.

Megjithatë, paralajmërimi nuk e ndali kryedemokratin, i cili vijoi fjalën e tij me tone të larta, duke bllokuar për disa minuta foltoren e Kuvendit dhe duke vazhduar të fliste edhe pa mikrofon.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.