Përplasje të ashpra te Kuvendi, plagosen 2 protestues dhe 1 efektiv
Tensionet para Kuvendit të Shqipërisë janë përshkallëzuar në nivele të larta, teksa përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit janë kthyer në konfrontim të hapur.
Forcat e rendit kanë përdorur ujë, gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën, ndërsa protestuesit janë kundërpërgjigjur duke hedhur vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të efektivëve. Situata u agravua pasi një grup qytetarësh tentoi të çajë kordonin policor për t’iu afruar godinës së Kuvendit, çka solli ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe përplasje fizike.

Si pasojë e incidenteve, disa persona kanë mbetur të lënduar. Dy protestues janë transportuar me urgjencë drejt spitalit, ndërsa një tjetër incident i rëndë u regjistrua kur një i ri, i mbështjellë me flamurin kuqezi, u pa i gjakosur në mes të turmës dhe u dërgua menjëherë me ambulancë për ndihmë mjekësore.

Në momentin kur po largohej nga vendngjarja, i riu u bëri thirrje protestuesve të vijonin rezistencën, duke u shprehur: “Mos u dorëzoni!”.

Ndërkohë, përdorimi i gazit lotsjellës dhe sprajit me piper ka shkaktuar vështirësi në frymëmarrje te shumë qytetarë të pranishëm.
Gjithashtu nga pamjet shfaqet edhe një efektiv policie i lënduar gjatë përplasjeve. Në pamje, polici shihet i gjakosur në kokë.

Policia e Shtetit kishte ngritur dy perimetra sigurie për të mbajtur nën kontroll situatën dhe për të mos lejuar grumbullimin e protestuesve pranë hyrjes së Kuvendit. Në terren janë angazhuar edhe ekipet e emergjencës për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve.
Protesta qytetare ka hyrë sot në ditën e 54-t radhazi dhe përkon me zhvillimin e seancës së fundit parlamentare për këtë sesion, duke e kthyer qendrën e Tiranës në një vatër të fortë tensioni politik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



