Përplasje të forta në Rrjoll, një prej protestuesve humb ndjenjat
Situata e tensionuar në zonën bregdetare të Rrjoll është përshkallëzuar sërish, pasi banorët janë përplasur me forcat e policisë në kantierin ku po zhvillohen punimet për ndërtimin e një resorti turistik.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, një grup banorësh është paraqitur përsëri në zonën e ndërtimit për të kundërshtuar vijimin e punimeve. Gjatë tensioneve me policinë, një prej protestuesve është ndjerë keq dhe ka humbur ndjenjat, ndërsa në mesin e personave që përplaseshin me efektivët kishte edhe gra.
Banorët kundërshtojnë projektin e ndërtimit duke pretenduar se po cenohet prona dhe toka që, sipas tyre, u përket familjeve të zonës. Ata kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga protesta derisa të mbrojnë pronat e tyre.
Më herët gjatë mëngjesit, një grup banorësh ishte mbledhur para Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, ku prisnin lirimin e gjashtë protestuesve të ndaluar një ditë më parë gjatë përplasjeve me policinë.
Protestuesit kanë paralajmëruar se do të vijojnë reagimin e tyre dhe se do të kundërshtojnë çdo përpjekje për të vijuar ndërtimin në zonë, duke këmbëngulur se beteja e tyre është për mbrojtjen e tokave që i konsiderojnë pronë të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



