Përplasje, tensione dhe incidente fizike në Kuvend
Debate të ashpra gjatë seancës plenare
Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend është shoqëruar me tensione të forta, përplasje verbale dhe incidente fizike mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Teksa kryeparlamentari Niko Peleshi kishte vendosur një pushim 5-minutësh, situata në sallë ka degraduar në përplasje fizike. Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është ngritur nga vendi dhe, siç shihet në video, ka goditur me shishe uji ministrin e Brendshëm Taulant Balla, i cili ndodhej i ulur në karrigen e tij. Ndërhyrja e menjëhershme e gardistëve ka neutralizuar përplasjen, ndërsa tensionet kanë vijuar edhe pas incidentit.
Debatet në sallë kanë qenë të ashpra dhe të vazhdueshme. Flamur Noka i është drejtuar Peleshit me tone të larta, duke refuzuar ndërhyrjet për qetësim, ndërsa deputetja Elda Hoti është përplasur verbalisht me Taulant Ballën, me replika të drejtpërdrejta në sallë.
Në vijim të seancës, janë regjistruar edhe përplasje të tjera politike. Ministri Balla është përplasur me Fatmir Mediu, duke e akuzuar me tone të forta, ndërsa ky i fundit ka reaguar nga vendi.
Ndërkohë, deputeti Erion Braçe ka kërkuar llogari nga ministri i Bujqësisë, duke deklaruar se e ka kërkuar prej muajsh dhe se situata nuk duhet të përsëritet më.
Në një tjetër moment, deputeti Gazment Bardhi ka kritikuar zhvillimin e interpelancës, duke e cilësuar situatën “qesharake”, ndërsa kryesuesi i seancës, Niko Peleshi, i është përgjigjur me ironi.
Debatet kanë përfshirë edhe çështjen e sigurisë kombëtare, konkretisht pretendimet për “shënjestrimin” e Shqipërisë nga Irani. Në këtë kuadër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka reaguar, duke sqaruar se informacioni do të jepet në vijim.
Seanca plenare ka vijuar në një klimë të tensionuar, me ndërprerje të shpeshta dhe ndërhyrje për të rikthyer rendin, duke reflektuar një nga ditët më të ashpra parlamentare të kohëve të fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



