Përplasjet te zyrat e FRD-së, flet Meta dhe paralajmëron: Do përfundoni si policët e Mubarakut!
Presidenti Ilir Meta ka folur pas përplasjeve që u regjistruan mesditën e sotme në zyrat e Frymës së re Demokratike në Tiranë. Kreu i shtetit ka paralajmëruar policët e bashkisë që ishin atje se do të përfundojnë “si policët e Mubarakut”.
“Të sjellësh një shkresë të tillë që nuk ka as vullë, as emër titullari, as numër protokolli. Është bërë për të dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht çdo forcë opozitare, që kërkon të konkurojë në kushte të barabarta në zgjedhje. Kjo është bashki bandë.
Jam këtu pas kërkesë së bërë nga zoti Shehu, ju e patë sesi dhunohet kryetari i FRD-së së Tiranë, në kushtet kur këtu vjen presidenti. Po i paralajmëroj dhe njëherë policët, zbatoni ligjet, të mos përfundoni si policët e Mubarakut, nën këmbët e popullit shqiptar”, ka thënë Meta ndër të tjera.
Siç shihet nga pamjet e transmetuara kreu i shtetit është përfshirë dhe vetë në përplasje me të dërguarit e Bashkisë së Tiranës dhe policët. Përplasja ka ndodhur për shkak se Bashkia Tiranë i ka dërguar një shkresë FRD-së dhe i kërkonte të lironte zyrat pasi ato janë në pronësi të saj.
Ndërkohë ka reaguar edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pas përplasjes në selinë e Frymës së Re Demokratike, ku policia bashkiake kërkon lirimin e godinës nga kjo parti.
I pyetur nga News24 për ngjarjen, Veliaj u shprehe se prona do të merret, ndërsa kjo forcë politike mund të ankimojë vendimin.
“I kemi çuar shkresa dhe partive të tjera që nuk përfitojnë zyra. Partitë e tjera e kanë respektuar lirimin e ambientit. Sipas ligjit, FRD nuk përfiton zyrë, duhet të lirojë ambientet. Ajo zyrë është pronësi e Bashkisë së Tiranës”, tha Veliaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



