Pezullohet nga detyra Belinda Balluku, i bllokohet pasaporta
Gjykata e Posaçme ka vendosur masa sigurie ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Masa e marrë përfshin pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë vendit. Balluku ishte marrë si e pandehur nga SPAK rreth tre javë më parë në kuadër të hetimeve për aferën e tunelit të Llogarasë.
Hetimet e SPAK dhe akuzat
SPAK ka ngritur akuzën për shkelje të barazisë në tendera publike, lidhur me procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi u hap fillimisht më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952 lekë pa TVSH.
Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-drejtorit të ARRSH-së, Ervis Berberi, në shkurt 2024, ku oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit sekuestruan telefona, kompjuterë dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve midis Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, që më pas lidhen me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.
SPAK dyshon se skualifikimi i disa kompanive nga tenderi për tunelin e Llogarasë mund të ketë shërbyer për favorizimin e fituesve, për shkak të lidhjeve të mundshme mes Berberit, biznesmenit Valter Begaj dhe ministres Balluku. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu verifikimin e praktikave të prokurimit në ARRSH dhe aksionet e kompanisë “Net-Group”, që më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.
Njoftimi zyrtar i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi më 31 tetor 2025 se Balluku akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim, sipas nenit 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Hetimi lidhet me procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, e nisur më 11 dhjetor 2020 dhe rihapur më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952 lekë pa TVSH.
SPAK ka njoftuar të pandehurën përmes një shkrese më 21 tetor 2025, ndërsa Balluku ka kërkuar shtyrje dhe është thirrur të paraqitet më 31 tetor në orën 15:00.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



