E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pika që s’të bie, o Edi Rama!
Flash

Pika që s’të bie, o Edi Rama!

Naim Noka

Kush e mban mend ish-kreun e Bashkisë së Tiranës, sot kryeministër, kur i thoshte Njazi Kosovrastit një përfaqësues i opozitës ne Këshillin Bashkia:

“Pika që s’të bie, o Njazi!”

Në fakt, rreth 20 vite më vonë, erdhi koha t’ia themi vetë kryeministrit, me plot gojën:

“Pika që s’të bie, o Rama!”

Sepse në këtë vend nuk na mbytën cunamet, as shirat biblikë.

Na mbytën pikat.

Pikat që fillojnë me pikat e Berishëve dhe arrijnë në pikën fundore të Belindave, Pirovengëve, deri te kryepika Rama.

Pikat ranë vit pas viti, mandat pas mandati, derisa Shqipëria u kthye në një legen kombëtar ku s’ka më dallim mes shiut, ujërave të zeza dhe premtimeve të larë me Photoshop-in e propagandës.

Sa herë bie shi, shpërthen i njëjti debat i konsumuar.

Opozita hedh pikat e veta të akuzave për korrupsion dhe vjedhje fondesh.

Mazhoranca përgjigjet me krahasime gjeografike: edhe Italia, edhe Mali i Zi, edhe Kroacia përmbyten.

Ndërkohë, qytetarët shqiptarë janë në pikën e hallit, të përmbytur në shtëpi,me rrugë të shembura,makina të mbytura dhe biznese të paralizuara.

Në këto momente, qytetari nuk do të shohë as politikanë, as gazetarë, as foltore, as tituj portalesh.

Në situata emergjente, çdo shtet normal duhet të përgjigjet me veprim, jo me krahasime pa justifikim dhe pa retorikë.

Problemi nuk është se këto ngjarje ndodhin edhe diku tjetër.

Nuk është justifikim që edhe të tjerët përmbyten.

Problemi është se këtu bie më pak shi dhe katandisemi më keq.

Përmbytemi një herë.

Pastaj dy herë.

Pastaj tre herë.

Dhe prapë jemi po këtu.

Asnjë avancë.

Asnjë mësim.

Asnjë korrigjim serioz.

Bëjmë disa foto, nxjerrim disa deklarata për “situatën nën kontroll” dhe e lëmë çështjen aty:

më mbrapa shohim e bëjmë.

Pas 13 vitesh qeverisje, Rama na shpjegon se përmbytjet janë “fenomen natyror”.

Po pikat e miliona eurove në buxhet ku shkojnë?

Pikat e tenderëve 20, 50 apo 100 milionë euro pse pikojnë gjithmonë në të njëjtat xhepa, që cakton Balluku për pikë të qejfit?

Pikat e babëzisë së betonit pse hidhen mbi çdo pëllëmbë toke, derisa uji s’ka më nga të ikë veçse nëpër shtëpitë e njerëzve?

Shqipëria sot qeveriset nga një pushtet i shpartalluar, ku pikën më të fortë ka rrumpallën dhe çoroditjen  nga  frika se oficerët e BKH-së do t’u marrin telefonët, ndërsa pikën më të dobët kanë zhvatjen e parave publike , përfitimin dhe abuzimin.

Sor çatia dhe tavani na kanë rënë mbi kokë.

Mobiliet po notojnë në ujë.

Propaganda del me çizme gome të reja dhe bën bilancin e “situatës nën kontroll”.

Rama na flet pa pikë turpi :”Nuk e kuptoj pse nuk më fajësojnë mua për përmbytjet në Greqi dhe Itali?!”

Po kjo sasi fare e vogël uji, e mbledhur 13 vite rresht, është bërë det.

Një det ku mbytet qytetari, ndërsa qeveria noton mbi varka konferencash për shtyp.

Pa pikë turpi.

Pa pikë përgjegjësie.

Pa pikë arsyeje.

Por me pika shiu në çdo fjalim.

Kur s’ka shi, fajin e ka klima.

Kur ka shi, fajin e ka qytetari që jeton poshtë pallatit të ndërtuar mbi kolektor.

Dhe sot kemi ardhur në atë pikë ku kemi prekur fundin.

S’ka më nevojë për stuhi:

mjafton një pikë shi dhe përmbytemi nga jugu në veri.

Pika që s’na bie.

Dhe ne që merremi ende me pikat e marrëzisë së kryeministrit më pykë që ka qeverisur ndonjëherë.

Pika Ramës. Bashkë me ne.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.