Një konflikt mes disa të rinjve është regjistruar në Korçë, në lagjen nr. 2 pranë kinemasë, duke shkaktuar panik mes banorëve të zonës.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka nisur si debat verbal, por ka degraduar shpejt në dhunë fizike. Të rinjtë janë goditur me grushte, ndërsa dyshohet se gjatë sherrit janë përdorur edhe sende të forta, pa përjashtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve prerëse.
Si pasojë e konfliktit, një 16-vjeçar ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital. Burime mjekësore bëjnë me dije se i mituri është goditur gjatë përleshjes dhe më pas është rrëzuar mbi kangjella, duke pësuar çarje në trup. Fatmirësisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por personat e përfshirë janë larguar përpara ndërhyrjes së tyre. Aktualisht, autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Hetimet janë në vijim, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po merren në pyetje dëshmitarë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.







