“Play off-i historik”, rivalët e mundshëm të Kombëtares Shqiptare
Pas fitores ndaj Andorrës, nga trajneri Sylvinho te lojtarët, presidenti Duka dhe deri tek tifozët kuqezi, të gjithë janë duke bërë llogaritë për të kuptuar se cilët mund të jenë kundërshtarët e mundshëm në fazën e “play-off”-it. Një javë para fundit të kualifikueseve, Shqipëria e ka siguruar matematikisht një vend për ndeshjet e marsit, por mbetet ende për t’u përcaktuar vazoja ku do të pozicionohemi.
Pikërisht për këtë arsye, përballja me Anglinë merr një tjetër peshë. Edhe pse objektiv i vështirë, kuqezinjtë do të tentojnë të marrin pikët e para historike ndaj “Tre Luanëve”, një kundërshtar ndaj të cilit nuk kemi arritur kurrë as barazim. Megjithatë, kjo kombëtare ka treguar shpesh se di të thyejë tabu.
Aktualisht, duke marrë parasysh renditjet momentale, Shqipëria gjendet në vazon e dytë – një pozicion ende i përkohshëm, pasi shumë ndeshje mbeten për t’u zhvilluar. Për të qëndruar aty, do të duhej një rezultat pozitiv ndaj Anglisë më 16 nëntor.
Nëse e mbyllim fazën kualifikuese në vendin e dytë të vazo-s, rivalët e mundshëm në mars mund të jenë Maqedonia e Veriut, Islanda, Bosnje-Hercegovina apo Kosova, dhe për më tepër ndeshjen e parë të “play-off”-it do ta luanim në shtëpi. Natyrisht, gjithçka mund të përmbyset në ndeshjet e mbetura.
Nga ana tjetër, nëse llogaritjet bazohen te renditja e FIFA-s, ka shumë gjasa të zbresim në vazon e tretë. Në këtë skenar, kundërshtarët e mundshëm do të ishin ekipe si Skocia, Çekia apo Sllovakia, dhe sfida e parë do të luhej në transfertë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



