Po pse duhet të mbesim përherë në statusin e një populli kohëhumbur?
Një popull i papërgatitur?
Përherë të papërgatitur do të mbesim ne?!
Në Europë dhe gjetkë po rilind nacionalizmi. Madje, edhe më tepër: po rikrijon strukturat dhe ka nisur mësymjet elektorale. Në rajonin tonë këto aksione politike kanë nisur, ndërsa investimet malinje janë shtuar e po shtohen.
Parimet neoliberale po eklipsohen, janë kapërcyer dhe, sipas gjasave, nuk janë e nuk do të jenë më brendi e rendit global.
Ku jemi dhe si jemi ne, shqiptarët?! Ç’do të bëjmë? Do të mbesim siç na lënë apo do të ndërtojmë sërish vonesën dhe diversitetin vrasës e pengues?!
Nga agjendat zyrtare të partive kryesore është hequr projekti i bashkimit kombëtar.
Diversiteti fetar po theksohet, me ushqime nga jashtë, sikur të jemi të ndryshëm deri në mospërafrim! Konstitucionin shpirtëror e kemi varfëruar dhe po biem pre e ushqimeve kanceroze prej tezave dhe identiteteve të rreme, të shitura dhe të hedhura si doktrina. Në besimet tona po trajtohen si mish i huaj besimi gjithëkombëtar dhe kombësia e vetme. Historia e pluhurtranzicionit dhe e post-pluhurtranzicionit është kohë e shuarjes dhe e zhbërjes së ndërgjegjes për ide dhe kombësi, në kushtet dhe kohën kozmopolite.
Jemi mpakur dhe zhbërë në strukturën e substancës sonë kombëtare si shoqëri të sotme.
Shoqëritë tona në hapësirën shqiptare janë aq të ndryshme sa Ben Blushi me Kim Mehmetin, sa Aurel Plasari me Veton Surroin, sa Edi Rama me Albin Kurtin dhe sa himni, shpesh pa zë, i Kosovës me himnin kombëtar aq të sulmuar, të cilin shumë shqiptarë shpesh e keqcilësojnë si himn të Shqipërisë.
Të gjithë janë pozicionuar në llogoret e mosbesimit, duke u betuar për besim vetëm te vetja. Jemi një shoqëri e turpshme, por, fatkeqësisht, në sjelljen dhe raportin tonë me referencat e historisë dhe të qenies sonë po shndërrohemi në një popull të paturpshëm.
Në këtë gjendje, përballë asaj që po vjen në botë dhe sidomos më pranë nesh, jemi si në atë imazhin e Nolit kryeministër, që, ndërsa vinte rrëmeti, i binte flautit…!
A mund ta rikthejmë, siç e meritojmë dhe siç na duhet ekzistencialisht, kultin e bukur përbashkues të Rilindjes Kombëtare?! A mund ta rinisim prej aty ku e lanë Naim Frashëri, At Gjergj Fishta, Hafiz Ali Korça, Mit’hat Frashëri, Ndre Mjeda, Parashqevi Qiriazi, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli, Shahin Kolonja etj.?!
Vetëm kjo formulë dhe një përbërje e tillë, në një vepër të re përbashkimi, na mbajnë si komb e popull në jetë!
Patriotizmi që ngjizet së bashku me mendimin dhe arsyetimin logjik nuk egërsohet si nacionalizëm, por formëson kombëtarizmin. Ne për këtë kemi nevojë sot.
Vetëm kjo na bën: Një komb, një flamur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



