E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SKEMA/ Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi i fotografimit ajror
Lajme

SKEMA/ Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi i fotografimit ajror

Një kriter i vendosur në dokumentet e tenderit për punë të ngjashme gjatë tre viteve të fundit, në vlerën sa 40% e fondit limit prej 2.6 milionë eurosh, ka nxjerrë automatikisht jashtë gare të gjitha kompanitë shqiptare në procedurën për fotografimin ajror të territorit. Një filtër i tillë ka rezultuar vendimtar për përjashtimin e operatorëve vendas dhe ka hapur rrugën për shpalljen fituese të një kompanie turke.

Procedura është administruar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli, dhe sipas dokumenteve të siguruara, kriteret janë ndërtuar në mënyrë të tillë që praktikisht asnjë kompani shqiptare të mos mund t’i përmbushte. Në fund, gara u mbyll vetëm pasi të gjithë operatorët e tjerë u skualifikuan, duke i hapur rrugë kompanisë turke që të shpallej fituese.

Zbulohet SKEMA Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi 2.6 mln euro i

Ky nuk është rasti i parë kur tenderë të mëdhenj publikë përfundojnë në duart e kompanive turke. Skema të ngjashme janë konstatuar edhe në projekte madhore si Tuneli i Llogarasë apo Aeroporti i Vlorës, dy investime strategjike që aktualisht janë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme për dyshime mbi abuzime serioze. Për Tunelin e Llogarasë tashmë ka akuza konkrete, përfshirë edhe emra të nivelit ministror, ndërsa hetimet për aeroportin vijojnë.

Sipas dokumentacionit të tenderit për fotografimin ajror, procedura kishte si objekt përditësimin e sistemit kombëtar të të dhënave gjeohapësinore, përmes fotografimit ajror dixhital të gjithë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe prodhimit të imazheve përkatëse. Fondi limit ishte 260 milionë lekë, me një afat zbatimi prej 24 muajsh.

Në garë morën pjesë disa kompani, mes tyre operatorë të huaj dhe vendas. Kompania turke “Mescioğlu Mühendislik ve Müşavirlik A.Ş.” ofroi 221 milionë lekë dhe u shpall fituese. Ndërkohë, kompani të tjera paraqitën oferta të ndryshme, përfshirë “Sintegra”, “HP-Surveying”, “Top Geo” nga Beogradi, si dhe dy kompani shqiptare, “Gjeokonsult & Co” dhe “Alb-Matrix Group”.

Zbulohet SKEMA Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi 2.6 mln euro i

Pavarësisht ofertave financiare, asnjëra prej këtyre kompanive nuk u vlerësua realisht në fazën përfundimtare. Arsyeja e skualifikimit për të gjitha ishte e njëjtë: mungesa e përvojës në realizimin e punëve të ngjashme gjatë tre viteve të fundit, në një vlerë jo më të vogël se 40% e fondit limit të kontratës.

Zbulohet SKEMA Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi 2.6 mln euro i

Ky kriter rezulton thelbësor dhe njëkohësisht problematik, pasi në Shqipëri nuk është zhvilluar asnjë tender i ngjashëm për fotografim ajror në tre vitet e fundit. Procedura e fundit e këtij lloji daton rreth tetë vite më parë dhe kishte të bënte vetëm me zona të kufizuara si Tirana dhe Durrësi. Për rrjedhojë, asnjë kompani shqiptare nuk kishte realisht mundësi ta plotësonte këtë kërkesë, pavarësisht se dispononin pajisje, staf dhe kapacitete teknike të certifikuara.

Një alternativë e parashikuar nga ligji, siç është pjesëmarrja me subjekte mbështetëse për plotësimin e përvojës, nuk është reflektuar në dokumentet e tenderit. Kjo ka ngritur dyshime se kriteret janë “qepur” posaçërisht për t’iu përshtatur një operatori të vetëm.

Dokumentet e tenderit, konkretisht pika 2.3, përcaktojnë qartë kriterin që u përdor për skualifikimin masiv të operatorëve. Ky detaj e bën edhe më të fortë dyshimin se procedura ka qenë e paracaktuar që në nisje.

Zbulohet SKEMA Si u përjashtuan shqiptarët nga tenderi 2.6 mln euro i

Tenderi për fotografimin ajror vjen pas dështimit të projektit të satelitëve, me vlerë 6.7 milionë euro, i cili u administrua po nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Edhe pse satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lançuan në fillim të vitit 2023, deri më sot nuk janë bërë publike detaje të plota mbi procedurat e përzgjedhjes së kompanisë fituese, funksionalitetin real të sistemit apo përdorimin konkret të të dhënave të siguruara.

Sipas burimeve, institucionet shtetërore ende nuk disponojnë në mënyrë efektive produktet e këtyre satelitëve, të cilat supozohej të përdoreshin për monitorimin e erozionit, zjarreve, ndërtimeve pa leje dhe prerjeve të paligjshme të pyjeve.

Në këtë kontekst, kalimi nga projekti i satelitëve te fotografimi ajror me avionë ngre pikëpyetje të tjera mbi planifikimin, transparencën dhe qëllimin real të investimeve. Avionët e përdorur për këtë proces janë mjete të specializuara që fotografojnë territorin nga ajri, të ngjashëm me ata që janë përdorur më herët për monitorime të tjera sensitive.

E gjithë procedura, nga kriteret përjashtuese deri te rezultati final, përbën një tjetër rast që, sipas dokumenteve dhe rrethanave, meriton vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.