Policia aksion blic në Shkodër; zbarkon në banesën e Safet Bajrit
Forcat RENEA kanë zbarkuar në banesën e Safet Bajrit dhe pritet shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje nga policia.
Policia ka zhvilluar një aksion blic në qytetin e Shkodrës në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Aksioni policor mësohet se ka nisur rreth orës 05:30 dhe dyshohet se ka lidhje me masakrën e Dobraçit.
Raportohet se forcat RENEA kanë zbarkuar në banesën e Safet Bajrit dhe pritet shoqërimi i tij për t’u marrë në pyetje nga policia.
Ende nuk ka informacion nëse ka persona të tjerë të arrestuar apo shoqëruar.
Prokuroria e Shkodrës ka shpallur moskompetencën, duke ia kaluar dosjen Prokurorisë së Posçme (SPAK), për shkak se ka dyshime se ngjarja është kryer nga një grup i strukturuar kriminal.
Çfarë ndodhi më 30 tetor në Shkodër?
Hamza Lici, 23 vjeç, Arlind Bushati, 32 vjeç dhe Flutura Basha u vranë pas një atentati mafizo të mirëorganizuar, i cili u regjistrua në zonën e Dobraçit. Bashkim Basha, bashkëshori i Fluturës u plagos dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ku humbi jetën pas disa ditësh.
Dyshohet se në atentat morën pjesë 4 autorë. Në makinën tip “Land Rover” që u gjet e shkrumbuar në fshatin Golem, vetëm 5 kilometra larg vendit të atentatit, sipas burimeve policore gjendeshin 3 persona, shoferi dhe dy qitës që qëlluan me breshëri kallashnikovi. Ndërsa personi i katërt i ka pritur në zonën ku është djegur automjeti, duke i ndihmuar të largohen.
Brenda makinës së djegur u gjetën dy automatikë të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat. Grupi hetimor ka dyshime të forta se autorët janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi.
Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Lici dhe Bushati u gjetën tre pistoleta. Deri më tani policia ka përcaktuar dhe ka arritur të zbulojë se makina tip Range Rover e përdorur në atentat është vjedhur në Durrës disa kohë më parë.
Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Hetuesit po analizojnë kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi pasi në zonë nuk ka kamera të shumta, ose edhe ato që janë nuk kanë server për ruajtje pamjesh. Disa prej tyre janë të koduara dhe janë marrë për t’u ekspertuar në laborator.
Për ngjarjen e rëndë në komisariatin e Shkodrës u shoqëruan mbi 20 persona, mes tyre edhe Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të familjes. Ky i fundit qëndroi rreth 2 orë në polici dhe mësohet se mohoi të ketë lidhje me atentatin, duke deklaruar se ishte në banesë me familjen. Sipas tij, shtëpia është e monitoruar me kamera dhe e vërteton një fakt të tillë.
Deri më tani, pista kryesore ku janë përqendruar hetuesit është ajo e hakmarrjes për shkak të konfliktit të gjatë mes familjes Lici dhe Bajri. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



