Policia sqaro videon dhe dhunën e të rinjëve në Tiranē
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dhuna policore, e ushtruar pak pas mesnate në një nga lagjet e Tiranës. Një prej prindërve të djemve të arrestuar ka reaguar për JOQ dhe ka thënë se dhuna e ushtruar ishte barbare dhe gjithçka ka ndodhur, pasi dy efektivë policie kanë filluar të parët të dhunojnë një të ri, duke e tërhequr zvarrë.
Për të, ai ka dërguar edhe fotot dhe siç shihet më poshtë, i riu e ka të gjithë fytyrën me plagë dhe dora e tij është e mbuluar me gjak.
Sipas prindit të një prej të rinjve dhunë është ushtruar edhe në komisariatin e policisë.
Sipas tij, janë vetëm dy efektivë që kanë deklaruar se të rinjtë u janë përgjigjur me dhunë, por sipas tij asnjë prej efektivëve nuk ka shenja, përveç njërit që është kapur tek pjesa e qafës.






Më poshtë njoftimi i policisë
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen disa punonjës policie që shoqërojnë me forcë disa shtetas, ju sqarojmë se:
Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në një ambient në rrugën “Naim Frashëri”, disa persona shqetësonin banorët, me zhurma. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë kaluar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë konstatuar disa shtetas, të cilët nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë dhe kanë filluar t’i kundërshtojnë ata me dhunë.
Dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme, duke vlerësuar situatën dhe rrezikun për shkak të dhunës që po përdorej ndaj tyre, kanë kërkuar ndihmën e patrullave të tjera, të cilat kanë kaluar në ndihmë të kolegëve për shkak të situatës së krijuar.
Edhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të tjera të Policisë, për të neutralizuar dhunën mbi dy punonjësit e Policisë, këta shtetas i kanë kundërshtuar përsëri me dhunë punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasit S. S., 20 vjeç, M. Sh., 19 vjeç, E. Ç., 19 vjeç, A. D., 19 vjeç, M. B., 20 vjeç dhe M. K., 28 vjeç, si dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. P., 17 vjeç.
Përsa i përket veprimeve të punonjësve të Policisë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin për të analizuar veprimet e punonjësve të Policisë, nëse janë respektuar procedurat standarde të punës apo nëse ka tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e punonjësve të Policisë për të neutralizuar veprimet kundërshtuese me dhunë verbale dhe fizike të shtetasve tashmë të arrestuar, ndaj punonjësve të Policisë.
Në përfundim të hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, do të ketë një njoftim të posaçëm për shtyp.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



