Prej 5 vitesh në arrati, bëhet “i gjallë” më në fund Adriatik Llalla
Ish-kryeprokurori kërkon t’i shpëtojë burgut me “procedurë”
Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla kërkon të shmangë vuajtjen e dënimit me burg përmes një kërkese procedurale të depozituar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Llalla, i cili ndodhet jashtë vendit dhe nuk e ka vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij, kërkon që të konstatohet parashkrimi i ekzekutimit të vendimit penal.
Në vitin 2021, Llalla u dënua me 2 vite burg për fshehje pasurie. Megjithatë, vendimi nuk u ekzekutua, pasi ish-kryeprokurori u largua jashtë Shqipërisë. Prej atëherë, çështja e vuajtjes së dënimit të tij mbetet e pazgjidhur.
Përmes kërkesës së re, ai synon të përfitojë nga instituti juridik i parashkrimit, i cili, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara nga ligji, mund të sjellë shuarjen e së drejtës për ekzekutimin e një dënimi penal.
Çfarë parashikon ligji për parashkrimin e dënimit?
Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit është një institut juridik që lidhet me kalimin e afatit ligjor brenda të cilit shteti mund të zbatojë një vendim penal të formës së prerë. Nëse plotësohen kushtet e parashikuara nga Kodi Penal, kalimi i këtij afati mund të pengojë ekzekutimin e dënimit.
Sipas nenit 68 të Kodit Penal, afatet e parashkrimit të ekzekutimit të dënimeve me burgim përcaktohen në varësi të masës së dënimit:
-
5 vjet, për dënimet deri në 5 vjet burgim;
-
10 vjet, për dënimet mbi 5 deri në 15 vjet burgim;
-
20 vjet, për dënimet mbi 15 deri në 25 vjet burgim.
Llogaritja e afatit lidhet me momentin kur vendimi i dënimit merr formë të prerë, ndërsa zbatimi konkret i dispozitave varet nga rrethanat juridike të çështjes dhe nga kushtet e përcaktuara në ligj.
Për rastin e Adriatik Llallës, kërkesa për parashkrim e vendos në qendër të vëmendjes afatin ligjor të ekzekutimit të dënimit me 2 vite burg. Megjithatë, paraqitja e kërkesës nuk nënkupton se dënimi është shuar automatikisht. Për këtë duhet të shprehet gjykata, pasi të shqyrtojë afatet dhe rrethanat përkatëse.
Vendimi që do të marrë GJKKO-ja do të përcaktojë nëse kërkesa e ish-kryeprokurorit përmbush kriteret ligjore për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



