Presidenti Begaj pritet të shpallë zgjedhjet më 20 nëntor
Fati i Tiranës në duart e Begajt
Veliaj mes paraburgimit dhe politikës
TIRANË – Kryeqyteti po hyn në një tjetër stinë politike të nxehtë. Presidenti Bajram Begaj pritet të firmosë nesër dekretin për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki të vendit, përfshirë edhe Tiranën, me datë 20 nëntor.
Në Presidencë ka mbërritur zyrtarisht kërkesa e qeverisë, e cila brenda 48 orëve kërkon të marrë një përgjigje. Por “patatja e nxehtë” është Tirana: a do të vendosë Begaj menjëherë, apo do të presë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, ku avokatët e Erion Veliajt kanë depozituar ankimimin për shkarkimin e tij?
Veliaj, mes qelisë dhe Kushtetueses
Ish-kryebashkiaku, që ndodhet prej muajsh në paraburgim nën akuzat për korrupsion, e ka lidhur shpresën te Kushtetuesja. Sipas saj, regjistrimi i ankesës pezullon automatikisht vendimin e shkarkimit, duke i lënë ende hapur derën e rikthimit. Por Kryeministria nuk ka pritur: sot shpalli vakancën në Tiranë, duke i kaluar përgjegjësinë tek presidenti.
Rama i palëkundur
Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka bërë asnjë hap prapa. Me Ogerta Manastirliun të shpallur kandidate për kryeqytetin, kryeministri e konsideron të kryer faktin që Tirana do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Përveç Tiranës, në listën e qeverisë janë edhe pesë bashki të tjera, kryetarët e të cilave kanë lënë mandatin për poste të reja politike.
Opozita në kërkim të një emri
Në krahun tjetër të skenës politike, Partia Demokratike endet pa kandidat. Burime nga selia blu konfirmojnë se negociatat me aleatët janë intensive, por ende nuk ka një figurë që të përfaqësojë opozitën përballë kandidaturës së Ramës.
Nëse Begaj firmos datën 20 nëntor, Tirana do të kthehet në arenën kryesore të betejës politike, ku do të përplasen vendosmëria e Ramës, shpresa e Veliajt dhe paqartësia e opozitës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



