Presion? Kryeministri sulmon Kushtetuesen para çështjes Balluku
TIRANË – Dy ditë para vendimit që Gjykata Kushtetuese pritet të marrë për çështjen që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, kryeministri ka reaguar publikisht me një postim të ashpër, duke kritikuar procesin që po zhvillohet në këtë institucion.
Në reagimin e tij, kryeministri e cilëson seanca e sotme e Gjykatës Kushtetuese si një “farsë”, duke akuzuar dy shoqata gjyqtarësh se kërkojnë rritje pagash përmes vendimeve gjyqësore, në shkelje të asaj që ai e quan “piramida shtetërore e pagave”. Sipas tij, një vendim i tillë do t’u jepte gjyqtarëve të drejtën të rrisin automatikisht pagat sa herë rriten pagat në sektorë të tjerë, duke cenuar kompetencat kushtetuese të qeverisë dhe parlamentit.
Në të njëjtin reagim, kryeministri përjashton nga kritikat SPAK, të cilin e përgëzon publikisht që, sipas tij, nuk iu bashkua kësaj nisme.
Reagimi vjen në një moment të ndjeshëm institucional, pasi Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet për një çështje që prek drejtpërdrejt qeverinë dhe një nga figurat kryesore të saj. Gjuha e përdorur ndaj një institucioni kushtetues ka ngjallur debate, duke ngritur pikëpyetje mbi kufirin mes shprehjes së opinionit politik dhe ushtrimit të presionit publik ndaj një organi që duhet të vendosë në mënyrë të pavarur.
Kritikët theksojnë se shqetësimi për financat e shtetit dhe “piramidën e pagave” duket selektiv, në kushtet kur qeveria ka miratuar më herët rritje pagash dhe skema të veçanta për sektorë të caktuar. Ndërkohë, në një shtet të së drejtës, pritet që Gjykata Kushtetuese të shprehet përmes vendimeve të saj, pa u ndikuar nga deklaratat apo postimet politike në rrjetet sociale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



