E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Principote Mykonos: S’kemi lidhje me lokalin në Ksamil, na kanë vjedhur emrin
Bota

Principote Mykonos: S’kemi lidhje me lokalin në Ksamil, na kanë vjedhur emrin

Kompleksi luksoz bregdetar Principote Mykonos ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Ksamil, ku 20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas një përplasjeje në ambientet e plazhit “Principotes”. Për ngjarjen, autoritetet shqiptare kanë identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata.

Në një deklaratë publike, përfaqësuesit e markës greke kanë bërë të ditur se Principote Mykonos nuk ka asnjë marrëdhënie biznesi, bashkëpunimi apo lidhje tjetër me subjektin që operon në Ksamil.

Sipas kompanisë, përdorimi i emrit “Principote” nga lokali në Shqipëri është bërë pa autorizim dhe përbën shkelje të të drejtave të markës. Për këtë arsye, bëhet me dije se ndaj subjektit në Ksamil janë ndërmarrë edhe hapa ligjorë.

Principote Mykonos: Emri ynë po përdoret pa autorizim

Në reagimin e saj, marka ndërkombëtare sqaron se vendosi të bëjë publike qëndrimin e saj për të shmangur çdo keqkuptim lidhur me aktivitetin në Shqipëri.

“Pas incidentit tragjik të ndodhur së fundmi në Ksamil dhe në një subjekt që përdor në mënyrë të paligjshme emrin tonë tregtar, dëshirojmë të sqarojmë se PRINCIPOTE MYKONOS nuk ka absolutisht asnjë marrëdhënie biznesi apo lidhje tjetër me lokalin në fjalë”, thuhet në deklaratë.

Kompania shton se ka nisur procedurat përkatëse ligjore për të mbrojtur markën dhe reputacionin e saj ndërkombëtar. Sipas saj, përdorimi i emrit pa autorizim krijon një situatë të konkurrencës së pandershme dhe përfitimit të padrejtë nga reputacioni i krijuar ndër vite.

“Ne kemi ndërmarrë veprime ligjore për të ndaluar këtë praktikë dhe për të mbrojtur reputacionin ndërkombëtar që PRINCIPOTE MYKONOS ka ndërtuar gjatë shumë viteve”, theksohet më tej në reagim.

Hetimet vijojnë për vrasjen e turistit në Ksamil

Reagimi i markës greke vjen në një moment kur autoritetet shqiptare vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë në Ksamil.

20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes humbi jetën pas përplasjes së ndodhur në zonën e plazhit, ndërsa për ngjarjen është arrestuar dhe po hetohet 29-vjeçari Sokrat Vata.

Krahas përcaktimit të përgjegjësive për ngjarjen, autoritetet po verifikojnë edhe rrethanat e plota që çuan në përplasjen fatale, ndërsa deklarata e Principote Mykonos sjell një tjetër element në këtë histori: distancimin zyrtar të markës greke nga subjekti që operon në Ksamil dhe pretendimin se emri i saj është përdorur pa të drejtë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.