Problemet nga dorëheqjet e katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës
Katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, nga dita e martë kanë mbetur pa kryetarë, pasi që ata dhanë dorëheqje, si kundërpërgjigjeje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia.
Me dorëheqjet e tyre, kryetarët e komunave, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ligjërisht i dërgojnë këto komuna në zgjedhje të jashtëzakonshme, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, tha për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet dhe gjëra të ngjashme, për momentin nuk i interesojnë. Në qoftë se dikush në Prishtinë planifikon të bëjë çfarëdo veprimi, Simiq u shpreh se së pari duhet ta tërheqim vendimin e tyre.
“Në këtë moment Lista Serbe qëndron guximshëm me popullin e saj, të cilin dikush nga Prishtina po provon që, përmes ndalimit të hyrjes së mallit nga Serbia, t’i fusë ata në geto. Pra, absolutisht nuk na interesojnë kurrëfarë aktivitetesh të institucioneve të Kosovës. Ju përkujtoj se, që nga dita e djeshme (e martë), komunat sipas sistemit të Kosovës, me vendimin e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunalë, më nuk ekzistojnë”, tha Simiq.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



