Procesi ndaj Laert Haxhiut, Noizy bashkë me të atin paraqiten në GJKKO
Reperi i njohur Rigels Rajku (Noizy) dhe babai i tij, Bashkim Rajku, janë paraqitur paraditen e sotme në ambientet e GJKKO.
Ata janë thirrur në cilësinë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor ndaj anëtarëve të grupit të Laert Haxhiu, i cili akuzohet si drejtues i një organizate kriminale të përfshirë në një sërë krimesh të rënda.
Sipas të dhënave, Noizy dhe Rajku janë pjesë e rreth 60 dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja e Haxhiut. Ky i fundit po përballet me akuza për 14 episode kriminale, përfshirë vrasje, atentate, shpërthime me tritol dhe grabitje me armë.
Tritoli në lokalin e reperit
Dëshmia e tyre lidhet me një nga episodet e hetuara, konkretisht vendosjen e një sasie tritoli në lokalin e reperit në Durrës. Për këtë ngjarje, avokatët e Haxhiut kanë kërkuar që të dëshmojnë si Noizy ashtu edhe Bashkim Rajku.
Sipas hetimeve, pas këtij akti dyshohet të qëndrojë grupi i drejtuar nga Laert Haxhiu, ndërsa si autorë të mundshëm janë përmendur edhe persona të tjerë të lidhur me këtë organizatë kriminale.
Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e 8 qershorit 2022 dhe, fatmirësisht, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale, pa persona të lënduar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



