Proda u përgjigjet akuzave për arrestimin e Ilir Metës
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka reaguar sot pas akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili deklaroi se arrestimi i Ilir Metës është kryer si ndaj një “terroristi”.
Sipas Balliut, ndërsa ndaj bandave dhe grupeve kriminale policia tregohet e kujdesshme dhe i paralajmëron për aksionet e ardhshme, ndaj Metës, aktualisht President i Partisë së Lirisë dhe ish-Kreu i Shtetit, është ushtruar dhunë në arrestim.
“Arrestuat Ilir Metën si terrorist, ndërsa bandat i paralajmëroni. Ilir Metën e arrestuat si terrorist. Ndërsa bandave u tregoni paraprakisht kur do vijë policia t’i arrestojë,” deklaroi Balliu përpara drejtuesit të Policisë.
Në seancë u përmendën gjithashtu edhe akuza të tjera politike për shpërdorim fondesh publike, ku Balliu iu referua deklaratave të Gazment Bardhit, i cili akuzoi se “me një firmë Balluku mori 50 milionë euro”, duke shtuar se me buxhetin e ri “po përgatiten shifra të tjera për t’u vjedhur”.
Proda: U përdor forcë, Meta bëri rezistencë
Në përgjigjen e tij, kreu i Policisë së Shtetit theksoi se çështja ndodhet nën hetim, por pranoi se gjatë procedurës së arrestimit është përdorur forcë nga efektivët, pasi ish-presidenti ka bërë rezistencë.
“Çështja është nën hetim. Sa i takon opinionit tim, nuk kemi të bëjmë me veprim arbitrar, por me përdorim të forcës në rastet kur ka rezistencë ndaj arrestimit,” u shpreh Proda.
Ai shtoi se përdorimi i forcës ka qenë proporcional dhe në përputhje me procedurat standarde të ndërhyrjes policore:
“Policia e Shtetit, kur bëhet rezistencë, përdor forcë të nevojshme që besoj ka qenë proporcionale në raport me situatën. I takon individit të sillet sipas detyrës që ka mbajtur.”
Arrestimi i Ilir Metës ka shkaktuar debat të fortë politik dhe institucional, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



