Projekti i fundit i Ramës, Shqipëria kthehet në një “Big Brother”
“Dikush po na vëzhgon”
Me projektin e ashtuquajtur “Smart City”, Shqipëria duket se po rrëshqet drejt një modeli survejimi masiv, që i ngjan më shumë një reality show-i kombëtar sesa një shteti që garanton rend, siguri dhe liri.
Me një kosto prej 118.5 milionë eurosh, qytetarët shqiptarë do të financojnë instalimin e kamerave “inteligjente” në pothuajse çdo cep të vendit, jo aq për të goditur krimin e organizuar, sesa për të monitoruar sjellje të përditshme si hedhja e plehrave në rrugë apo shkelje të vogla administrative.
Marrëveshja e firmosur këtë të premte në Tiranë mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë arabe Presight AI u prezantua nga kryeministri Edi Rama si një hap i domosdoshëm drejt forcimit të sigurisë publike. Por pas retorikës për luftë ndaj krimit, fshihet një projekt që zgjeron ndjeshëm kontrollin shtetëror mbi jetën private të qytetarëve, duke hapur debate serioze për privatësinë, liritë themelore dhe kufijtë e pushtetit shtetëror.
Në këtë narrativë të re, edhe problematika e kriminalitetit në shkolla ka gjetur tashmë një “armik” tjetër. Pasi u fajësua TikTok-u, sot sipas kryeministrit problemi qenka mungesa e kamerave. Si zgjidhje, është paralajmëruar vendosja e tyre brenda klasave, duke e shndërruar shkollën nga një hapësirë edukimi dhe besimi në një ambient survejimi të përhershëm.
Sipas deklarimeve zyrtare, rrjeti i kamerave do të shtrihet në rrugë, sheshe, institucione publike dhe shkolla, duke krijuar një sistem vëzhgimi të pandërprerë mbi qytetarët. Ndërkohë, qeveria falënderon palën arabe për “mundësinë” e ofruar, ndërsa fatura reale, afro 120 milionë euro, bie mbi taksapaguesit shqiptarë.
Në emër të sigurisë, Shqipëria rrezikon të hyjë në një epokë ku çdo lëvizje monitorohet, çdo sjellje regjistrohet dhe ku kufiri mes rendit dhe kontrollit absolut bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



