Prokuroria çon në gjyq kryeinspektorin dhe 2 inspektorët e IMT Divjakë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Lejuan 31 ndërtime pa leje

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq kryeinspektorin dhe dy inspektorë të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Divjakë, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sipas organit të akuzës, nga hetimet mbi procedimin penal nr. 346 rezulton se në të paktën 31 raste të ndërtimeve të paligjshme, të cilat janë hetuar dhe më pas dënuar nga gjykata me vendime të formës së prerë, funksionarët nuk kanë ushtruar detyrat e tyre ligjore për kontrollin e territorit.

Po ashtu, edhe në rastet kur janë konstatuar shkelje administrative për ndërtime pa leje, nuk është ndjekur procedura e parashikuar nga ligji, si vendosja e gjobave, prishja e objekteve dhe referimi për ndjekje penale.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se nuk janë ndërmarrë veprime për mbledhjen e gjobave, duke lejuar kalimin e afateve të parashkrimit. Si pasojë, është shkaktuar një dëm ekonomik në buxhetin e shtetit dhe të njësisë vendore në vlerën rreth 11.17 milionë lekë për periudhën 2021–2022.

Në përfundim, çështja është dërguar për gjykim ndaj tre të pandehurve, përfshirë kryeinspektorin dhe dy inspektorë të IMT-së në Divjakë, të cilët akuzohen për shkelje të detyrës në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Prokuroria thekson se mbetet e angazhuar për të çuar përpara drejtësisë çdo punonjës publik që abuzon me detyrën, duke shkaktuar pasoja ligjore dhe financiare për shtetin.

Publikuar nga Publik Media