E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Prokuroria çon për gjykim ish-kryeinspektorin e IMT-së, Ardian Halili
Lajme

Prokuroria çon për gjykim ish-kryeinspektorin e IMT-së, Ardian Halili

Kompleksi luksoz në Kepin e Rodonit dyshohet se u ngrit pa leje

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Ardian Halili, i akuzuar për “ndërtim të paligjshëm” dhe “shpërdorim detyre”. Në të njëjtën dosje është përfshirë edhe Saimir Mezja, jurist dhe aktualisht inspektor në IMT Durrës, ndaj të cilit rëndon akuza për shpërdorim detyre.

Sipas hetimeve, Halili dyshohet se ka ndërtuar pa leje kompleksin “Saint Michelle Rezidence” në zonën e Kepit të Rodonit, një strukturë që më pas është shembur nga IKMT. Nga verifikimet në terren rezulton se kompleksi përbëhej nga një godinë dykatëshe me funksion bar-restoranti në katin e sipërm dhe ambiente akomodimi në katin përdhes, si dhe një numër i konsiderueshëm objektesh njëkatëshe të shpërndara në territor.

Autoritetet konstatuan gjithashtu praninë e disa ndërtesave të tjera të ndërtuara me bazamente betoni dhe të mbuluara me çati, një pjesë e të cilave ishin funksionale për akomodim, ndërsa të tjerat rezultonin të papërfunduara.

Në dëshminë e tij, Halili ka mohuar kryerjen e punimeve të paligjshme, duke pretenduar se ndërhyrjet në objekt kishin për qëllim vetëm heqjen e orendive për shkak të paralajmërimit për prishje. Ai ka deklaruar se të gjitha punimet janë kryer në përputhje me lejet e marra më parë nga Bashkia Durrës, duke shtuar se disponon dokumentacionin përkatës.

Lidhur me strukturat shtesë në kompleks, Halili ka argumentuar se ato nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm pasi janë realizuar me materiale të lehta dhe të përkohshme. Megjithatë, Prokuroria ka arritur në përfundimin se ndërtimet janë zhvilluar në disa faza dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Nga ana tjetër, dëshmitë e inspektorëve dhe zyrtarëve të përfshirë në çështje hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të kontrolleve në terren. Sipas tyre, inspektimet për ndërtime të pajisura me leje kryheshin vetëm me urdhër të kryeinspektorit, ndërsa për pronën në fjalë nuk është dhënë asnjë urdhër i tillë gjatë periudhës përkatëse.

Një prej inspektorëve ka deklaruar se gjatë verifikimeve në vitin 2022 u konstatua se lejet e dhëna nuk përputheshin me punimet e kryera në terren. Konkretisht, nga struktura të hapura të tipit “pergola”, ato ishin kthyer në ndërtime të mbyllura, duke tejkaluar lejen fillestare.

Ndërkohë, një efektiv policie që ka mbuluar zonën në vitet 2019–2021 ka deklaruar se nuk ka konstatuar punime ndërtimi gjatë asaj periudhe dhe nuk ka marrë asnjë denoncim lidhur me aktivitetin në kompleks.

Çështja tashmë i kalon gjykatës, ku pritet të shqyrtohen në detaje provat dhe dëshmitë për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të të pandehurve.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.