Prokuroria e Tiranës aksion ndaj postave private, dyshimet e forta
Prokuroria e Tiranës ka ushtruar kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet, në kuadër të një hetimi për evazion fiskal.
Aksioni është zhvilluar pas regjistrimit të procedimit penal nr. 156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Kontrollet janë kryer me autorizim gjykate, pas kërkesës së organit procedues.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, si dhe 13 milionë lekë, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari e paligjshme. Po ashtu, është sekuestruar edhe dokumentacion shoqërues, i cili sipas hetuesve provon paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal.
Prokuroria thekson se provat e administruara deri më tani tregojnë se subjektet e kontrolluara kanë ushtruar aktivitet tregtar jashtë kuadrit ligjor, duke shmangur detyrimet tatimore.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë penale për të gjithë personat e përfshirë.
Njoftimi i Prokurorisë:
Hetime subjekteve që ofrojnë shërbime postare, Prokuroria Tiranë regjistron procedim penal për evazion fiskal për mallrat që shiten pa faturë, sekuestrohen 13 mln lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë regjistron procedimin penal nr.156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, si rrjedhojëu ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.
Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



