Prokurorja Esmeranda Basho, simboli i shantazhit dhe i degradimit institucional
Drejtësia ka marrë fund!
Arben Llangozi | opinion | Publik.al
Nëse dikush do të kërkonte një shembull se si është shkatërruar drejtësia shqiptare nga brenda, nuk ka pse të kërkojë larg mjafton të shohë rastin e prokurores Esmeranda Basho, një emër që sot përmendet në çdo korridor të Sarandës si shembulli më i qartë i arrogancës, abuzimit dhe përdorimit të pushtetit për interesa personale.
Një qytetar sarandiot, që guxoi të kërkojë drejtësi pranë institucioneve, denoncoi me fakte se kjo prokurore kishte mbyllur një dosje penale në favor të disa emrave të njohur të botës së krimit, duke firmosur mosfillim procedimi penal.
Ankuesi pretendon se vetë pala e kallëzuar ka pranuar se “ka paguar” për ta mbyllur çështjen një deklaratë që në çdo vend normal do të shkaktonte tronditje dhe hetim urgjent, por jo në Shqipëri, ku prokurorët e tillë mbrohen nga zinxhiri i pushtetit.
Në vend që të hetohej për shkelje apo korrupsion, Basho u mbrojt. Artur Metani, drejtuesi i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë i njohur si “personazhi i Godosë”, sepse çdo ankesë që i shkon zhduket në mister si në një skenë absurde të teatrit e mbylli ankesën pas gjashtë muajsh, duke e “arkivuar” me stilin klasik të sistemit, as hetim, as ndëshkim, vetëm heshtje.
Por Basho nuk u mjaftua me kaq. Sapo mori në dorë vendimin e Metanit, ajo bëri copy-paste fjalë për fjalë, e firmosi dhe për ta shtuar farsën, nisi një proces gjyqësor ku përpiqej të “provonte” pafajësinë e vet me dëshmi të një personi të dënuar më parë për kultivim narkotikësh, armëmbajtje pa leje dhe vepra të tjera penale.
Pra, një prokurore që mbështetet te fjalët e një krimineli për të pastruar veten ky është niveli i “reformës në drejtësi” që u premtua shqiptarëve!
Në këtë “shfaqje gjyqësore”, u zhvilluan nëntë seanca, ndërsa Basho udhëtonte nga Saranda në Gjirokastër, duke braktisur detyrën, duke shtyrë çështjet e qytetarëve me arsye fiktive dhe duke gënjyer edhe kolegët e vetë gjyqtar, por nga ana tjetër duke vazhduar të marrë rrogën e plotë.
Nëntë ditë mungesë në punë nëntë ditë mashtrim ndaj kolegëve gjyqtar në Sarandë. Dhe ndërkohë që qytetarët e Sarandës presin që drejtësia të funksionojë, prokurorja e shtetit udhëton për të mbrojtur veten dhe për të manipuluar prova në interes personal.
Ende nuk dihet nëse në këto udhëtime ajo ka qenë e shoqëruar nga dëshmitari me precedentë penalë. Por fakti që këto dyshime ekzistojnë, mjafton për të ngritur alarmin, drejtësia shqiptare po digjet nga brenda, dhe ata që duhet ta mbrojnë, janë bërë shkelësit e saj më të rrezikshëm.
Kjo nuk është më histori e një prokuroreje të korruptuar. Është fotografia e një sistemi të kalbur, ku “reforma” ka prodhuar një elitë të re që mban togën e shtetit, por flet gjuhën e shantazhit dhe të frikës. Esmeranda Basho nuk është një rast i izoluar, ajo është pasqyra ku qytetarët shohin çdo ditë sesi drejtësia është kthyer në një instrument hakmarrjeje, abuzimi dhe korrupsioni të paturpshëm.
Në Sarandë, njerëzit e ndershëm presin një prokuror që të mbrojë ligjin. Ajo që kanë, është një prokurore që e përdor ligjin për të mbrojtur veten. Dhe ndërsa ajo mbyll dosje, shtyn gjyqe dhe justifikohet me mashtrime, qytetarët vazhdojnë të jenë viktima të një sistemi që i ka braktisur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



