E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pronarët që preken nga ndërtimet pa leje, ja kush merr dëmshpërblim
Lajme

Pronarët që preken nga ndërtimet pa leje, ja kush merr dëmshpërblim

Pronarët, tokat e të cilëve janë prekur nga ndërtimet pa leje mund të aplikojnë për të përfituar dëmshpërblim, duke filluar nga data 18 Janar. Emrat e atyre që kanë të drejtë të aplikojnë për përfitimin e dëmshpërblimit dhe vlera e tij, janë përcaktuar në vendimin numër 810 të Këshillit të Ministrave, të mbledhjes së 29 dhjetorit 2017

Aplikimi

Agjencia e Trajtimit të Pronave bën me dije se procesi i pranimit të kërkesave të subjekteve përfituesve nuk do të jetë i kushtëzuar dhe i kufizuar në kohë.

Subjektet e interesuara mund të paraqiten pranë zyrave të ATP, në adresën Rruga “Muhamet Gjollesha”, Nr. 54, Tiranë, çdo ditë nga e hëna në të premte, për plotësimin e kërkesës për kompensim dhe dorëzimin e dokumenteve përkatës, njofton ATP.

Dokumentet që duhen për aplikim

Subjekti kërkues (subjekti përfitues/trashëgimtari ligjor/përfaqësuesi me prokurë), sqaron ATP, në momentin e plotësimit të kërkesës për kompensim, duhet të paraqesë dokumentacionin e mëposhtëm:

1-Kërkesën për kompensimin e pronës, sipas formatit tip, që i vihet në dispozicion nga ATP;

2-Dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil;

3-Prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. (Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo kërkesë të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme);

4-Vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare (IBAN), ku do të transferohet vlera financiare e përfituar;

5-Fotokopjen e dokumentit të identifikimit;

6-Mandat pagesën, që vërteton pagimin e tarifës së shërbimit në vlerën 2 000 (dymijë) lekë.

Riaplikimet

Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm, sqaron në një njoftim për mediat Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.