Pronat shtetërore në shitje për 1 EURO, qeveria ndryshon rregullat
Qeveria ka ndryshuar rregullat për përdorimin dhe privatizimin e pronave shtetërore, duke krijuar mundësinë që subjektet që kanë përfituar prona përmes kontratave “1 euro” të kërkojnë më pas edhe blerjen e tyre.
Sipas rregullave të reja, mundësia u jepet subjekteve që kanë marrë me qira ose enfiteozë prona shtetërore me sipërfaqe mbi 500 metra katrorë, në kuadër të kontratave me tarifën simbolike “1 euro”.
Por për të përfituar nga e drejta e blerjes, investitori duhet të plotësojë disa kushte të përcaktuara.
Një prej kritereve kryesore është realizimi, brenda afatit të përcaktuar në kontratë, i një investimi me vlerë mbi 5 milionë euro.
Investimi duhet të jetë gjithashtu më i lartë se 750% e vlerës së pronës që kërkohet të blihet. Ndërkohë, prona nuk duhet të jetë pjesë e kategorisë së pasurive shtetërore që ligjërisht nuk mund të tjetërsohen.
Përmbushja e kushteve do të duhet të dokumentohet përmes provave kontraktore, financiare dhe teknike.
Prona nuk mund të shitet menjëherë
Blerja e pronës nuk e çliron investitorin nga detyrimi për të përfunduar investimin e deklaruar dhe objektivat e përcaktuara në planin fillestar të biznesit.
Ky detyrim do të përcaktohet në kontratën e shitjes dhe do të regjistrohet si kufizim në kartelën e pasurisë.
Deri në realizimin e plotë të investimit, blerësi nuk do të mund ta shesë pronën te një palë e tretë. Ndalimi do të regjistrohet në Kadastër si hipotekë ligjore.
Në rast se investitori nuk realizon investimin e marrë përsipër, Ministria e Ekonomisë mund të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën e shitjes.
Në këtë situatë, prona i rikthehet shtetit, ndërsa administrata ka të drejtë të mbajë edhe shumën e paguar nga blerësi.
Penalitete për kontratat “1 euro”
Rregullat e reja parashikojnë edhe penalitete për subjektet që nuk përmbushin detyrimet e marra përsipër në kontratat “1 euro”.
Për pjesën e investimit të parealizuar, qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi penalizohet me 10% të vlerës së investimit të papërmbushur.
Ndërsa për çdo vend pune të premtuar dhe të pakrijuar parashikohet një penalitet prej 50 mijë lekësh.
Numri i vendeve të punës do të verifikohet duke u bazuar në mesataren vjetore të punonjësve të deklaruar pranë administratës tatimore.
Institucionet përgjegjëse do të duhet të kontrollojnë të paktën një herë në gjashtë muaj ecurinë e investimit, nivelin e punësimit, pagesën e qirasë, kamatëvonesat dhe penalitetet.
Procedurat do të zhvillohen online
Rregullat përcaktojnë gjithashtu që procedurat e konkurrimit dhe komunikimi me subjektet ofertues të zhvillohen në mënyrë elektronike.
Ndërkohë, për ndërtesat shtetërore përcaktohet edhe një tarifë minimale mujore qiraje, e cila do të jetë 0.3% e vlerës mesatare të shitblerjes së banesave në bashkinë ku ndodhet prona.
Ndryshimet synojnë të përcaktojnë një mekanizëm të ri për administrimin dhe privatizimin e pronave shtetërore, duke lidhur të drejtën e blerjes me nivelin e investimit, punësimin dhe përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara në kontratat fillestare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



