Protesta dhe festa e PS, ja rrugët që do të bllokohen
Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë aktiviteteve që do të zhvillohen pasditen e së premtes në Tiranë, ku pritet të mbahen dy tubime të rëndësishme politike.
Në fokus të masave janë festa për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, e cila do të zhvillohet në Sheshin “Italia”, si dhe protesta e paralajmëruar nga opozita në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas Policisë së Tiranës, duke nisur nga ora 16:00 dhe deri në përfundim të aktiviteteve, do të ketë kufizime dhe bllokime të përkohshme të qarkullimit në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Ndërkohë, protesta e opozitës, e 13-ta në radhë, pritet të nisë në orën 18:00, çka ka shtuar edhe më tej masat e sigurisë në terren.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve në rrugët:
“Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Faik Konica”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Hasim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, si dhe në segmentin e rrugës “Ibrahim Rugova”, nga kryqëzimi me rrugën “Libri Universitar” deri në sheshin “Shopen”.
Gjithashtu, do të bllokohet qarkullimi edhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”.
Policia u bën thirrje qytetarëve të shmangin këto akse dhe të përdorin rrugë alternative, si dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve në terren për të garantuar mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe sigurinë publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



