Protesta e studentëve, reagon Policia e Shtetit: Do ndëshkoheni
Policia e Shtetit ka reaguar për protestën që po zhvillohet përpara Ministrisë së Arsimit, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të shmangin përplasjet dhe të distancohen nga çdo veprim i dhunshëm.
Në reagimin zyrtar, uniformat blu theksojnë se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por nënvizojnë se ushtrimi i kësaj të drejte nuk justifikon dhunën ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve apo institucioneve.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit ka persona të maskuar që po sulmojnë efektivët dhe po dëmtojnë pronën publike e private. Për këtë arsye, autoritetet u kërkojnë protestuesve të ruajnë qetësinë dhe të mos përfshihen në akte të kundërligjshme.
“Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit”, thuhet në reagimin e Policisë, e cila kërkon ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës.
Policia deklaron se do të vijojë të jetë në terren për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën dhe institucionet. Ajo thekson gjithashtu se ndërhyrjet do të kryhen në përputhje me ligjin dhe me profesionalizëm e përmbajtje.
Në përfundim të reagimit, Policia e Shtetit përsërit qëndrimin e saj se tubimi paqësor është një e drejtë e garantuar, ndërsa aktet e dhunës nuk do të tolerohen.
Reagimi:
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubim të ruajnë qetësinë, të shmangin çdo akt dhune dhe të distancohen nga personat e maskuar që po sulmojnë punonjësit e Policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
E drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të Policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj.
Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari, ushtrimin e të drejtës së tubimit paqësor, mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.
Apelojmë për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës. Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit.
Policia e Shtetit do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.
E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



