Protesta e studentëve, tre vatra zjarri në Rrugën e Durrësit
Protesta studentore në Tiranë vijon mes tensioneve dhe përplasjeve të herëpashershme me policinë, ndërsa situata është përshkallëzuar në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit kanë bllokuar kryqëzimin dhe kanë ndezur disa vatra zjarri.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, tre vatra zjarri janë ndezur në rrugë. Dy prej tyre ndodhen në segmente të ndryshme të Rrugës së Durrësit, përfshirë zonën pranë degëzimit me rrugën Mine Peza, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe një tabelë reklamash.
Pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura të forcave të rendit për të liruar rrugën dhe për të shpërndarë turmën, studentët kanë vijuar qëndresën, duke mbajtur të bllokuar kryqëzimin dhe duke hedhur thirrje kundër kryeministrit Edi Rama.
“Poshtë Edi Rama!” është një nga thirrjet që dëgjohen gjatë protestës, e cila po zhvillohet nën praninë e shtuar të forcave të policisë.
Policia bllokon rrugën drejt Ministrisë së Arsimit
Në përpjekje për të penguar përparimin e protestuesve drejt Ministrisë së Arsimit, efektivët kanë vendosur një kordon policor dhe automjete në aksin që të çon drejt godinës së institucionit.
Ndërhyrjet e policisë për shpërndarjen e protestuesve janë përsëritur disa herë, por studentët nuk janë tërhequr, duke vijuar tubimin mes momenteve të tensionuara.
Protesta kishte nisur para Ministrisë së Arsimit, ku përplasjet mes studentëve dhe forcave të rendit u shoqëruan me përdorimin e gazit lotsjellës dhe autoboteve që hedhin ujë me presion. Gjatë zhvillimeve janë raportuar persona të lënduar, si dhe 23 persona të shoqëruar nga policia.
Bllokimi i rrugëve rëndon trafikun në kryeqytet
Situata e krijuar në Rrugën e Durrësit dhe në kryqëzimet përreth ka sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve, duke shkaktuar trafik të rënduar dhe duke penguar lëvizjen e transportit publik në disa akse të Tiranës.
Në protestë janë bashkuar edhe qytetarë, të cilët, së bashku me studentët, kërkojnë përmirësimin e kushteve në universitete dhe në konvikte. Krahas problematikave që lidhen me arsimin dhe jetesën studentore, tubimi është shoqëruar edhe me kërkesa për ndryshime në drejtimin e vendit.
Protesta vijon, ndërsa situata në zonën e Rrugës së Durrësit mbetet e tensionuar për shkak të bllokimit të qarkullimit dhe pranisë së shtuar të policisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



