E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protesta kundër sistemit politik hyn në ditën e 107-të saj
Lajme

Protesta kundër sistemit politik hyn në ditën e 107-të saj

Rezistenca qytetare vijon në Tiranë edhe këtë të hënë, ndërsa protestuesit rikthehen në shesh pas tubimit të një dite më parë. Kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë mbetet në qendër të protestës, ndërsa organizatorët paralajmërojnë vijimin e mosbindjes civile.

Protesta kundër qeverisë vijon edhe këtë të hënë në Tiranë, duke shënuar ditën e 107-të të rezistencës qytetare.

Pas tubimit të zhvilluar të dielën, protestuesit rikthehen sërish në shesh për të vijuar aksionin e tyre dhe për të përsëritur kërkesat politike që kanë shoqëruar lëvizjen prej javësh.

Në protestën e 106-të, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë. Në tubim morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, duke i dhënë një tjetër dimension protestës së ditëve të fundit.

Kërkesa kryesore mbetet e pandryshuar: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe largimi i qeverisë.

Gjatë fjalimeve të mbajtura para protestuesve u përcollën thirrje për vijimin e rezistencës dhe për intensifikimin e aksionit qytetar. Një prej protestuesve e krahasoi qëndrueshmërinë e tubimeve me “pikën e ujit që gërryen shkëmbin”, duke argumentuar se këmbëngulja e qytetarëve mund të sjellë ndryshime edhe brenda strukturave të pushtetit.

“Askush nuk e ka menduar që edhe pas 106 ditësh do të ishim me mijëra në sheshin para Kryeministrisë”, deklaroi një prej pjesëmarrësve, duke nënvizuar se objektivi i protestës mbetet largimi i qeverisë.

Ndryshon ora e grumbullimit

Aktivisti Arben Kola u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të rikthehen dhe t’i bashkohen protestave në Tiranë.

Sipas njoftimit të tij, duke nisur nga dita e sotme, grumbullimi i protestuesve në sheshin “Skënderbej” do të nisë në orën 18:30. Pas grumbullimit, protestuesit pritet të marshojnë përmes bulevardit në drejtim të Kryeministrisë.

Kola e cilësoi pjesëmarrjen e diasporës si një element të rëndësishëm të protestës, duke bërë thirrje për angazhim më të madh qytetar.

“Sot është koha, do të jetë vonë nesër”, deklaroi ai gjatë tubimit.

Protestuesit paralajmërojnë përshkallëzim

Në ditën e 107-të, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë përsëritur paralajmërimet për përshkallëzim të protestave përmes asaj që e kanë cilësuar si “mosbindje civile”.

Lëvizja nisi fillimisht e lidhur me kundërshtimet ndaj projekteve dhe zhvillimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit, Sazanit dhe territoreve të mbrojtura, por gjatë javëve në vijim mori përmasa më të gjera politike.

Krahas kërkesës për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit, protestuesit kanë artikuluar edhe kërkesa për ndryshime në kuadrin ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve dhe rishikimin e legjislacionit për zonat e mbrojtura.

Ndërkohë, pjesëmarrja e diasporës është kthyer në një nga elementët më të spikatur të tubimeve të fundit. Organizatorët synojnë që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të vijojnë të bashkohen me protestat në Tiranë, ndërsa rezistenca qytetare hyn tashmë në ditën e 107-të.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.