E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse lufta në Ukrainë do ta ndryshojë botën përgjithmonë
Lajme

Pse lufta në Ukrainë do ta ndryshojë botën përgjithmonë

Yuval Noe Harari, pedagog historie dhe një nga mendimtarët e njohur në botë.

“Yuval Noe Harari, ishte i ftuar në platformën TED për të folur për luftën në Ukrainë. Për 50 minuta ai iu përgjigj pyetjeve kyçe që kanë lindur ditët e fundit, duke përdorur vështrimin depërtues, që e ka bërë një nga shkrimtarët bashkëkohorë më të lexuar në botë.

Çfarë dëshiron saktësisht Putini? Çfarë po ndodh me armët bërthamore? A janë ukrainasit një komb?
Pse ai kohët e fundit shkroi se Rusia tashmë e ka humbur luftën dhe çfarë nënkupton me këtë?

Për të gjitha këto pyetje Harari kishte një përgjigje jo aq të zakonshme dhe sigurisht, kur nuk dinte diçka, nuk kishte frikë të thoshte atë që thonë vërtet mendimtarët e mëdhenj në këto raste: “Nuk e di”.

1. Perandoritë janë në të shumtën e tyre krijime të një grupi shumë të vogël – një “bandë” – në krye të shtetit. Harari nuk beson se populli rus është i interesuar për këtë luftë, se rusët duan të pushtojnë Ukrainën. Gjithçka vjen nga lart.

E ndërsa në Bashkimin Sovjetik ekzistonte një ideologji që përqafohej gjerësisht nga një pjesë e madhe e popullsisë, kjo veçori mungon këtu. Njerëzit drejtohen vetëm nga elita. Dhe këtu kemi rastin klasik – për perandoritë – ku perandori thjesht dëshiron të rrisë pasurinë për veten dhe njerëzit e tij.

2. Qëllimi i madh i Putinit është të mohojë ekzistencën e vetë kombit ukrainas dhe ta përthithë atë së bashku me shtetin. Dhe për ta bërë këtë, nuk mjafton të pushtosh Ukrainën, duhet ta mbash atë. Dhe e gjithë kjo bazohet në një bast, në një fantazi, se një pjesë e madhe e ukrainasve do ta pranojnë këtë, se do ta pranojnë edhe si çlirimtar.
Dhe ne tashmë e dimë se kjo nuk është e vërtetë. Ukrainasit janë një komb i vërtetë dhe duan të jenë të pavarur me çdo kusht.

3. Të vetmen gjë që arriti Putini është vetëm mbjellja e urrejtjes në zemrat e çdo ukrainasi. Çdo ditë që kjo luftë vazhdon, çdo ditë që një tjetër civil apo ushtar ukrainas bie i vdekur, kjo urrejtje ndizet gjithnjë e më shumë dhe mund të zgjasë me breza.
Ukrainasit dhe rusët nuk urreheshin përpara Putinit. Ata ishin vëllezër. Dhe tani për shkak të tij, ata janë armiq. Kjo është trashëgimia e lënë pas nga Presidenti rus.

4. Nëse kjo luftë nuk ndalet shpejt, do të vuajnë të gjithë, jo vetëm ukrainasit dhe rusët. Dhe kjo, sepse vala goditëse që shkakton, destabilizon gjithë planetin. Dhe para së gjithash, ne tashmë e shohim këtë të ndodhë me buxhetet e luftës.
Në dekadat e fundit ne kemi jetuar në një periudhë paqeje të paprecedentë dhe kjo shihet nga ajo pjesë e buxhetit të shteteve evropiane që shkonte për ushtrinë – ishte pothuajse 3% për të gjithë. “Konsideroni se një herë e një kohë, në kohën e perandorive, kjo ishte të paktën 50% e buxhetit”, thotë Harari. Ai e përshkruan këtë ndryshim si një mrekulli pothuajse historike.
Dhe brenda pak ditësh pamë Gjermaninë duke e dyfishuar këtë përqindje. Të tjerët do bëjnë të njëjtën gjë, gjë e logjikshme kjo, pasi frika është e vërtetë. Kështu do shpenzohen më pak para për arsim dhe shëndetësi. Dhe kjo do zbatohet për të gjithë, si të jetosh afër Rusisë, si të jetosh dhe në Brazil.

5. Harari beson se vitet e fundit në Perëndim ka pasur një “luftë kulturore” midis të majtës dhe të djathtës, midis forcave konservatore dhe përparimtare. Ai beson se konflikti në Ukrainë mund të sjellë paqe në këtë “luftë”.
Kjo mund të ndodhë për shkak se të gjithë e kuptojnë papritur, se janë të gjithë së bashku përballë diçkaje kaq dërrmuese, që ka çështje shumë më të mëdha në botë se sa këto rivalitete brenda demokracive perëndimore. Dhe mundet që e djathta të jetë më afër vlerave të kombit dhe e majta me vlerat e liberalizmit, megjithatë kur shohin ukrainasit që luftojnë për mbijetesën e tyre, kuptojnë se vlerat e tyre nuk janë aq të kundërta sa mendonin. Se mund të gjejnë gjuhën e përbashkët se si duan që vendi i tyre të ecë përpara dhe kryesisht për të mos u fshirë nga harta.

6. “Pushimi i luftës” është arritja më e madhe moderne. Nga viti 1945 e tutje, fuqitë e mëdha nuk erdhën më në luftën e drejtpërdrejtë, diçka që në shekujt e mëparshëm ishte diçka e zakonshme. Dhe kjo nuk ndodhi rastësisht, ndodhi sepse u krijuan organizata më të mira ndërkombëtare dhe njerëzit filluan të merren vesh mes tyre.
Kështu u rrëzua narrativa se “lufta është diçka normale, se është në natyrën njerëzore” … se është një “fatkeqësi natyrore” e pashmangshme.
Nëse kthehemi në xhungël dhe njerëzit fillojnë të mendojnë “po, ajo që po bën Putini është normale”, atëherë do humbasim atë që kemi fituar për kaq shumë vite, sepse njerëzit nuk do duan të luftojnë për paqen. Ata do ta konsiderojnë si gjë kot, pasi është kundër natyrës sonë.
Epoka e paqes në të cilën jetojmë nuk duhet të na bëjë të heshtim, por të na bëjë më të përgjegjshëm për ruajtjen e saj.

7. Ekzistenca e armëve bërthamore ishte gjithashtu përgjegjëse për “pushimin e luftës”, sepse deri më sot vendet e dinin se do ishte vetëvrasje të hynin në një luftë të tillë. Harari argumenton se ai i përket shkollës së mendimit që beson se Lufta e Tretë Botërore midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik do kishte ndodhur në vitet 1950 ose 1960, pa këto armë.

8. Ne mund të kemi më shumë informacion për këtë luftë se sa në vitet e mëparshme – për shkak të telefonave celularë, Twitter, etj. – por kjo nuk do të thotë se ne e dimë se çfarë po ndodh në të vërtetë. Informacioni nuk do të thotë domosdoshmërisht “e vërtetë”.

9. Është një lloj i ri lufte që kemi, sepse tani njerëzit mund të jenë në anën tjetër të botës dhe të marrin pjesë aktive, jo vetëm duke shkruar tweet-e, por duke sulmuar faqet e internetit.
Për shembull, në Luftën Civile Spanjolle, nëse do donit të ndihmonit demokratët, atëherë duhej të shkonit në Spanjë dhe të bashkoheshit me Brigadat Ndërkombëtare. Por tani Brigadat Ndërkombëtare janë ulur në shtëpi, për shembull në San Francisko, dhe disi marrin pjesë në luftë nga atje.

10. Lufta nuk duket të jetë rezultat i dështimit të diplomacisë. Duket se çfarëdo propozimesh që i janë bërë Putinit, pavarësisht nga qasja diplomatike për këtë çështje, ai kishte marrë vendimin për të pushtuar Ukrainën. Nga ngjarjet e ditëve të fundit, ai duket se nuk është i interesuar për zgjidhje diplomatike. Dhe kjo ka të bëjë me fantazinë që ai ka, siç thamë më parë, se Ukraina është pjesë e Rusisë dhe se ajo nuk duhet të ekzistojë. Ky është qëllimi i tij. Ai nuk kishte frikë për sigurinë e vendit të tij, siç pretendon.
Nuk kishte asnjë kërcënim të menjëhershëm për një sulm nga Ukraina, as nga një ushtri aleate baltike. Edhe anëtarësimi në NATO në atë kohë nuk dukej aktual, por larg në kohë.
11. Rusia e Putinit nuk është Bashkimi Sovjetik. Është një vend shumë më i vogël dhe më i dobët. Nuk është si në vitet ’60, kur përveç Bashkimit Sovjetik, kishin edhe bllokun lindor që e mbështeste. Prandaj është më e lehtë sot ta izolosh atë dhe është shumë e ndjeshme ndaj sanksioneve.
Sigurisht, kjo nuk do të thotë se sanksionet e vendosura tashmë nga Perëndimi do funksionojnë si një mrekulli që do ndalojë tanket. Duhet kohë. Megjithatë, Perëndimi është në gjendje ta “godase” atë me këto sanksione shumë më lehtë dhe më fort se në të kaluarën”
________
Përshtatur në shqip nga greqishtja
nga Edmond Shallvari

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.