E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse refuzon PS,  propozimet e opozitës për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së
Publik News

Pse refuzon PS, propozimet e opozitës për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së

Mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka krijuar ngërç të ri midis mazhorancës dhe opozitës.

 

 

Teksa mazhoranca refuzon kategorikisht formulën e propozuar, opozita kërkon sqarime se në cilën pjesë të propozimit, PS-ja nuk është dakord.

Demokratët pretendojnë se formula e propozuar prej tyre, për zgjedhjen e anëtarëve në mënyrë konsensuale është e ngjashme me mënyrën e përzgjedhjes së organeve të drejtësisë dhe e pranuar edhe nga Komisioni i Venecias.

“Me cilën pjesë të propozimit nuk është dakord dhe arsyet pse, si dhe të bëjë një propozim të saj alternativ në përputhje me dakordësinë e 5 qershorit. Pra sesi të garantohet me ligj konsultimi dhe ndarja proporcionale e anëtarëve të KQZ midis partive të mazhorancës dhe partive të opozitës, si dhe vendimmarrja konsensuale për çështje të rëndësishme të procesit zgjedhor”, thonë burime nga opozita.

Opozita vë në dukje se PS ka mbetur tek drafti i vjetër i saj, duke refuzuar të reflektojë dakordësinë e 5 qershorit, sipas së cilës “Komisioneri i Zgjedhjeve përzgjidhet në konsultim mes palëve, Zëvendës Komisioneri përzgjidhet nga partitë e opozitës, dhe anëtarët e Rregullatorit dhe KAS përzgjidhen nga partitë e mazhorancës dhe opozitës, të ndarë në mënyrë proporcionale.”

Sipas opozitës, drafti që mbron PS përcakton emërimin e të gjithëve anëtarëve të KQZ nga qeveria dhe opozitës i hiqet çdo garanci ekzistuese, në lidhje me propozimet dhe vendimmarrjen.

“Theksojmë se garancitë ekzistuese për procesin zgjedhor të tilla si vendimmarrja me shumicë të kualifikuar aktualisht në fuqi në Kod, duhet të ruhen dhe nuk mund të zvogëlohen apo hiqen. E kundërta do të përbënte një hap prapa në kohë dhe standarde. Është e pashpjegueshme sesi PS kërkon të zhbëjë garanci që ekzistojnë aktualisht në Kodin Zgjedhor, mbi përcaktimin konsensual nga KQZ të rregullave të garës elektorale”- thuhet në përgjigjen e opozitës.

Duke theksuar se propozimi i saj është në përputhje me dakordësinë e 5 Qershorit, opozita i ka kushtuar rëndësi të posaçme formulës që garanton pavarësinë, njësoj si tek organet e drejtësisë, e dakordësuar me konsensus nga palët politike dhe e certifikuar edhe nga Komisioni i Venecias.

“E kemi të paqartë qëndrimin tuaj se kjo formulë e propozuar nga opozita për KQZ e cila është e njëjtë si ajo që përdorim për organet e reja të drejtësisë, sjell politizim ndërkohë që ju mbroni versionin se kandidatët për KQZ duhet të jenë propozime nga grupet parlamentare apo deputetë të veçantë, çka, në fakt, përbën politizim tërësor të kandidaturave”- thuhet në përgjigjen e opozitës, e cila tani pret nga PS shpjegime për refuzimin e kësaj formule dhe një propozim të ri, në përputhje me dakordësinë e 5 qershorit, të ndërmjetësuar me BE dhe SHBA.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.