E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PUBLIKU DHE “BISHA”
OP-ED

PUBLIKU DHE “BISHA”

“T’i paguash taksat një qeverie të korruptuar, nuk është patriotizëm, por skllavëri. Më keq ende, është si të ushqesh ‘bishën’”.

Kur Indro Montanelli përfshihej në rrathët e koklavitur të gjetjes së një zgjidhjeje për korrupsionin e jashtëzakonshëm në politikën italiane, nuk e kërkonte te pushteti apo partitë politike, formulën shpëtimtare. Iu drejtohej me një sinqeritet vrastar italianëve, duke u kujtuar se, lufta ndaj korrupsionit bëhej vetëm në një mënyrë, duke ndryshuar veten dhe jo politikën. Çdo parti sado e re, në pushtet do të korruptonte vetveten gjithsesi. Ndaj, ndërgjegjësimi i publikut mbi çfarë e lidh pashmangshëm pushtetin me korrupsionin, do të qe mënyra më e mençur për t’i prerë ushqimin “bishës” së uritur.

Në Shqipëri, “bishës” nuk i shohin më sytë. Shqiptarët janë thirrur të paguajnë më shumë se një herë, taksa për të njëjtin shërbim; të paguajnë taksa edhe aty ku do duhej të mos paguanin, të mos përfitojnë as shërbim e as cilësi pas “rrjepjes” së rregullt me taksa, për çdo tekë bishe dhe, në fund, të përqeshen pa cipë nga pushteti pasi, përderisa e votojnë, të gjitha do t’i meritojnë. Nëse do t’i referohemi shprehjeve legjendare, sot jemi skllevër dhe të dënuar për të mbetur të tillë, për sa kohë nuk ndryshojmë ne. Ata nuk ndryshojnë, madje përkeqësohen me kohën, “bisha” u ka zënë derën dhe për të mbijetuar, duhet të ushqejnë atë e jo popullin. Ndaj, o do na “shqyejë” të gjithëve me breza, ose do t’ia zëmë frymën, para se të na e zërë.

Çdo ditë, shqiptari përballet me zgjedhje në emër të tij, për të cilat nuk ka dijeni. I imponohen dhe i kërkohet të bindet. Nëse deri dje shpresonte edhe në një alternativë të fundme të mundshme të një pushteti lënë në duart e një partie, sot po bindet se partinë e ka gëlltitur “bisha”, që dhëmbët do t’i shtrëngojë gjer në kockë të shqiptarit. Jo më larg se dje, një mik që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara, por ende shumë i lidhur me Shqipërinë ku ka të shtrenjtë e një pjesë të jetës së tij, duke ndjekur çdo zhvillim të saj, më dërgon foton e publikuar në faqen në Facebook të kryeministrit shqiptar. Në të shfaqet kreu i qeverisë në krah të Shefit Ekzekutiv të Turkish Airlines, i mahnitur teksa sheh të projektuara para tij, grafikë e harta mbi fazën e fundit të projektit të linjës ajrore, Air ALBANIA, që sipas tij po programohet me asistencën teknike të kolosit ajror turk dhe do të asistohet në të gjitha nivelet operacionale prej tij. Pasi më dërgoi foton, më nisi një breshëri pyetjesh: Ç’punë ka kryeministri me aeroportet? Kur është realizuar ky studim? Kur u realizua tenderi që fituan turqit? Çfarë kushtesh janë vendosur? Dhe pse shpjegimi bëhet në këtë zyrë, pa asnjë prani tjetër?

Që ky projekt mori shpjegim nga dy ministra të qeverisë, si një formulë e re, e pa provuar më parë, por e garantuar me reputacionin e Ahmetajt dhe Gjiknurit, ia thashë që në krye. Dy ministrat, të ekonomisë dhe transporteve, u ngarkuan të negociojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa garë, me konsorciumin e kompanive turke, që kanë shprehur interes për ndërtimin e aeroportit. Pyetjet e mikut tim përbëjnë sekret tregtar, sipas ministrave, ndaj nuk mund t’u përgjigjemi publikisht.

Kësisoj, më mbeti të arsyetoj për formulat e sprovuara tashmë të kësaj qeverie se, ne me PPP-të i kemi hyrë gjithçkaje: Shkollave, spitaleve rrugëve, varrezave, inceneratorëve dhe, së fundmi, edhe Teatrit Kombëtar.

Shqiptari ka muaj që po dëgjon Fondin Monetar Ndërkombëtar t’i kërkojë qeverisë të ndalojë dhënien e koncesioneve në kuadër të projektit 1 miliard. Arsyet? Kuadri institucional për menaxhimin e koncesioneve, mbetet i papërshtatshëm. Koncesionet jepen pa një analizë të qartë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe përfitimeve që ato sjellin. Ende nuk ekziston një listë konkrete e projekteve prioritare, që bëhen me koncesion. Qeveria thjesht miraton propozimet e pa kërkuara që vijnë nga privatët, pa patur një strategji, duke mos ia nënshtruar tenderëve publikë, me konkurrencë minimale dhe për klientë pranë saj. Dhe si për t’i bërë skllevër shqiptarët me breza, çdo pará që shteti do duhet ta shtyjë në kohë për pagesat ndaj privatit, do të shndërrohet në borxh më të lartë për shqiptarët, fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre. As përvoja e vendeve me problematika të ngjashme me tonat, që kanë vuajtur pasojat e praktikave abuzuese me Partneritetet Publike Private; as thirrja e vijueshme e FMN-së se shteti nuk është ende i qartë, nëse ka ndarë si duhet riskun me privatin; as për burimin e parave që hyjnë në ekonomi; as alarmet nga institucionet ndërkombëtare, të ngjashme me ato të kohës së piramidave, që shpërfilleshin nga pushteti i asaj kohe; as Raporti i Gjykatës Europiane të Auditimit lidhur me PPP-të, duke i konsideruar një formë jo të shëndetshme financiare dhe ekonomike për të menaxhuar investimet publike dhe risqet e tyre, duke u rekomanduar shteteve anëtare të BE-së, të mos nxisin përdorimin e tyre derisa të kenë marrë zgjidhje problemet e identifikuara, nuk e ndalin këtë qeveri, të vijojë duke e dhënë Shqipërinë më koncesion. Aq sa të vjen të saldosh mbulesa mbi çdo pasuri publike, që mos t’i shohin mendjet diabolike e të etura për t’i kafshuar. Dhe mjafton të kujtosh parimin bazë të dhënies së koncesioneve, që synon përfarimin e interesit publik me atë privat. Si mund të përfarohet interesi i një grushti oligarkësh të pasuruar ekstremisht, në vendin më të varfër në Europë, me atë të shqiptarëve me të ardhurat më të ulëta në kontinent, por që po mbajnë edhe kostot e tej shtuara të këtyre projekteve?!

Shembulli konkret:

Jo më larg se dy ditë më parë, shqiptarët u njohën me tarifën e re që u shtohet përdoruesve të Rrugës së Kombit, 5 euro për një kalim e me logjikë të thjeshtë 10 euro për një qëllim, që mund të jetë pune, turizmi, shëndetësor etj. Se kush shkon edhe do kthehet, pavarësisht se kryeministri u tregua i kujdesshëm të mos abuzojmë me vlerën 10 euro, pasi sipas tij një kalim është sa gjysma e asaj që deklarojnë portalet(!).

Pasi e paguam një rrugë edhe me trefishin e vlerës së saj, pasi paguajmë taksa qarkullimi, regjistrimi automjetesh, pasi u rrit shumëfish taksa e qarkullimit për shqiptarët, tashmë koncesionohet mirëmbajtja e Rrugës së Kombit, kur fondi i miratuar nga qeveria për kujdesin ndaj rrugëve, e mbulon bash mirë këtë vlerë. Sikur të mos mjaftojë, tarifat janë më të lartat në Europë, tarifa që gjithsesi në botë paguhen për investime kryesisht të kryera nga privatët, që nëpërmjet vendosjes së tyre shlyejnë vlerën e investimit. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët, buxheti i shtetit do të paguajë koncesionarin në 13 vitet e para, rreth 70 milionë euro, si subvencion për trafikun e munguar. Pra, parimi i përfarimit të interesit publik me privatin ngjan një batutë, si shakatë plot kripë të kryeministrit në samite ku e merr vëmendjen jashtë protokollit.

Në këtë përpjekje minimale për të dëshmuar se, “bisha” do na përpijë të gjithëve, para se të kemi kuptuar rrezikun që na kanoset, po risjell dy raste të tjerë të nëpërkëmbjes së interesit publik, për të ushqyer “bishën” e uritur. Nuk u kursyen as arti e as sporti. Po me të njëjtat skema, Partneritetet Publikë Privatë u vu dorë në dy objekte që mbroheshin nga Ligji i Trashëgimisë Kulturore, Stadiumi Kombëtar, “Qemal Stafa” dhe Teatri Kombëtar. Mendoni se u përpoq qeveria të përafrojë interesin publik me atë privat? Në të dy rastet aplikohen skema PPP. Dhe në të dy rastet kërkohet prishja e ndërtesave ekzistuese, duke i përjashtuar nga mbrojtja prej Ligjit të Trashëgimisë Kulturore. Sepse duke u prishur, aty ndërtohen objekte private në truall publik, duke e bërë gjithnjë e më të fortë privatin në negociatën me publikun. Asnjë kontratë nuk kemi në duar, asnjë transparencë, por dimë që kemi privatë të favorizuar, ndonjëherë të paidentifikuar, që përfitojnë në kurriz të publikut. Nuk po kursehet më asgjë e veç interes publik nuk po mbrohet dot nga këto zgjedhje arrogante të qeverisë. Stadiumi shkoi. Në ovacionet e tifozëve zëri do ushtojë prej përplasjes në fasadat e një kulle gjigante, ku shqiptari përveçse ka paguar duke kontribuuar në buxhetin e shtetit që do shlyejë në kohë privatin, do hyjë edhe për të blerë, duke u bombarduar nga reklamat e promocionet. Teatri ende po reziston, se artistët po vënë shpirtin në themele, por duke njohur përvojën, trishtimi thyen shpresën.

Nga buron vetësiguria e pushtetit në Shqipëri, për të nxituar në situata të rënda e komprometuese, kundër frymës, rregullave e logjikës funksionuese të Bashkimit Europian, kur të gjithë kalibrat e rëndë propagandistik të saj po shënjestrojnë një dhe vetëm një qëllim, hapjen e negociatave me familjen e përbashkët europiane?

Në fund të bisedës, miku më ftoi në një bast, që as nuk iu avita ta konsideroj sa e kisha në linjë. Ndërsa iku, duke lënë pas një të qeshur të hidhur, ia lejova vetes vetëm një cedim të lehtë në fantazi. Dhe i dhashë të drejtë. Sipas tij, kur kjo qeveri të bjerë nuk do ketë më shtet, por principata oligarkësh brenda një Shqipërie pa identitet. Ndërsa unë i shtova edhe më bastit, se si për të marrë një shërbim mjekësor, formim akademik, për të shpëtuar nga fatkeqësitë natyrore, për të siguruar një shërbim, për t’u larë në det, për të futur këmbët në ujë lumi a liqeni, për të marrë një kompensim mbi paaftësi a nevoja ekonomike, do na duhet t’I drejtohemi “bishës”, që edhe ajrin do na e koncesionojë. Ndaj, le ta kujtojmë një herë e mirë, nëse nuk duam të provojmë format moderne të skllavërisë, se bisha nuk merr leje për të ngrënë zebrat. Bisha nuk paralajmëron dhe zebrat gjithsesi nuk do dëgjojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.